Lidhje


Pritet sulm nga Irani, SHBA urdhëron diplomatët dhe familjet e tyre në Izrael të strehohen në vende të sigurta

Departamenti i Shtetit ka urdhëruar të gjithë diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre me bazë në Izrael dhe Bregun Perëndimor, që të strehohen në vende tw sigurta deri në njoftimin e mëtejshëm, pasi situata e sigurisë bëhet gjithnjë e më e pasigurt me inkursionin tokësor të Izraelit në Liban dhe kërcënimet e mundshme të një sulmi raketor iranian.

 

“Si rezultat i situatës aktuale të sigurisë, Ambasada e SHBA-së ka udhëzuar të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane dhe anëtarët e familjeve të tyre që të strehohen në vend deri në njoftimin e mëtejshëm”, tha ambasada në Jerusalem të martën në një njoftim për qytetarët amerikanë.

 

"Kjo është dhënë për informacionin tuaj ndërsa bëni planet tuaja të sigurisë," tha ai.

 

“Mjedisi i sigurisë mbetet kompleks dhe mund të ndryshojë shpejt në varësi të situatës politike dhe ngjarjeve të fundit.”

 

SHBA: Pritet sulm nga Irani

 

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë thotë se SHBA-ja beson se Irani po përgatitet të “lëshojë një sulm të menjëhershëm me raketa balistike kundër Izraelit”.

 

“Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna se Irani po përgatitet të nisë së shpejti një sulm me raketa balistike kundër Izraelit”, thuhet në një deklaratë të plotë.

 

“Ne po mbështesim në mënyrë aktive përgatitjet mbrojtëse për të mbrojtur Izraelin kundër këtij sulmi. Një sulm i drejtpërdrejtë ushtarak nga Irani kundër Izraelit do të sjellë pasoja të rënda për Iranin”, vazhdoi ai.

 

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar Izraelin, të përgjojë çdo gjë që Irani përgatit, tha një zyrtar amerikan për CNN. Këto përpjekje do të ishin të ngjashme me mënyrën se si SHBA ofroi ndihmën e saj në prill, kur Irani nisi një valë dronësh dhe raketash drejt

 

Izraelit – shumica dërrmuese e të cilave u kapën me sukses. Nuk është menjëherë e qartë shkalla e sulmit që SHBA parashikonte që do të zhvillojë Irani kundër Izraelit këtë herë.

 

Ndërsa zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari tha se në këtë kohë Izraeli nuk ka identifikuar ndonjë kërcënim ajror që po lëshohet nga Irani.

 

Deklarata erdhi pasi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS, se SHBA kishte indikacione se Irani po përgatitej të niste një sulm me raketa balistike "menjëherë" . Hagari shton se IDF është në gjendje të lartë gatishmërie dhe se një sulm iranian ndaj Izraelit do të kishte pasoja.

 

Netanjahu: Jemi në mes të një fushate kundër boshtit të së keqes

 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka kërkuar izraelitëve që t'i kushtojnë vëmendje udhëzimeve të sigurisë së komandës së frontit të brendshëm, pasi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se një sulm me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit mund të jetë i pashmangshëm.

 

Në një fjalim me video drejtuar kombit, Netanyahu thotë se Izraeli është "në mes të një fushate kundër boshtit të së keqes të Iranit".

 

Ai thotë se Izraeli është "i vendosur" të kthejë banorët e tij në shtëpitë e tyre në veri, por shton se "sfida të mëdha" janë përpara.

 

Netanyahu u kërkoi izraelitëve që "të ndjekin rreptësisht direktivat" e komandës së frontit të brendshëm të ushtrisë dhe të "qëndrojnë së bashku".

 

“Së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të fitojmë”, shton ai./rtsh.al/

XS
SM
MD
LG