Hezbollahu: Kemi vrarë shumë ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në jug të Libanit
Hezbollahu njoftoi se ka vrarë shumë ushtarë izraelitë në luftimet e drejtpërdrejta në dy qyteza në jug të Libanit, transmeton Anadolu. Zëdhënësi i Hezbollahut, Mohammed Afifi mbajti konferencë për media në rajonin Dahieh i cili cilësohet si kalaja e Hezbollahut në jug të Bejrutit, kryeqytetit të Libanit.
Në deklaratën për media ku morën pjesë më shumë se 150 gazetarë në Dahieh, Afifi tha: "Ne vramë shumë ushtarë izraelitë në luftimet në qytezat Al-Adisa (Odaisseh) dhe Maroun al-Ras në jug të Libanit". Ai theksoi se Izraeli nuk ka njoftuar për ushtarët e tij të vrarë. "Ngjarjet në qytezat Al-Adisa dhe Maroun al-Ras janë vetëm fillimi. Situata përgatitore e Hezbollahut në jug të Libanit është në nivelin më të lartë", tha Afifi.
Sipas tij, në ndërtesat e shënjestruara në Dahieh ku Izraeli ka kryer sulme ajrore që nga 23 shtatori e deri më tani nuk ka patur asnjë armë.
- Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 1.328 persona
Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori 2023 vazhdon konfliktin e kontrolluar me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.328 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 17 shtatori kur shpërthyen pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.
Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar drejt Sirisë.-AA