SHBA ende nuk ka vepruar për rreth 500 raportet e vdekjeve civile të lidhura me armët amerikane në Gaza
Administrata amerikane e presidentit Joe Biden ka pranuar rreth 500 raporte që pretendonin se Izraeli përdori armë të furnizuara nga SHBA-ja në sulme që shkaktuan dëmtime civile në Rripin e Gazës, por akoma nuk i ka përmbushur kërkesat e politikës së saj për hetime të shpejta, transmeton Anadolu.
Pavarësisht udhëzimit të Departamentit të Shtetit për Reagimin ndaj Incidenteve të Dëmtimit Civil të vitit 2023 (CHIRG), që këshillon agjencitë të përfundojnë hetimet dhe të rekomandojnë veprime brenda dy muajve, duke cituar zyrtarë aktual dhe të mëparshëm, ‘Washington Post’ raporton se asnjë nga rastet nuk ka përparuar në fazën e “veprimit”.
Shumica e rasteve mbeten të pazgjidhura, me të dhënat e qeverisë izraelite në pritje në shumë prej raporteve në fjalë.
Raportet, që janë mbledhur nga agjenci amerikane, organizata dhe media ndërkombëtare, përmbajnë detaje dhe prova fotografike të fragmenteve të bombave të prodhuara nga SHBA-ja, të gjetura në vendet ku u vranë civilë, përfshirë fëmijë.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut argumentojnë se bazuar në dokumentacionin disa nga incidentet mund të përbëjnë shkelje të ligjeve amerikane dhe atyre ndërkombëtare.
I pyetur për raportet, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, dje tha se SHBA-ja po shqyrton disa incidente përmes programit CHIRG dhe proceseve të tjera, por refuzoi të hyjë në shqyrtime të vazhdueshme.
“Këto janë çështje të ndërlikuara. Ato janë çështje të ndërlikuara faktike, janë çështje të ndërlikuara ligjore”, tha Miller.
Duke iu referuar një raporti nga Memorandumi i Sigurisë Kombëtare (NSM-20), i lëshuar në muajin maj duke theksuar se është e “arsyeshme” të vlerësohet se ka raste kur Izraeli mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtare humanitar, Miller tha se “kur bëhet fjalë për incidente specifike, ato rishqyrtime janë ende në vazhdim”.
I pyetur pse SHBA-ja nuk ka përcaktuar përfundimisht se ndonjë incident shkel ligjin ndërkombëtar humanitar pas më shumë se një vit, Miller këto përcaktime i përshkroi si “tepër të vështira”./AA