Fidan: Dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga drejt prosperitetit për brezat e ardhshëm të turqve dhe grekëve
Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, tha se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga drejt prosperitetit për brezat e ardhshëm të turqve dhe grekëve, transmeton Anadolu.
Duke vlerësuar përmirësimin e marrëdhënieve midis Türkiye dhe Greqisë në dy vitet e fundit, Fidan gjatë një interviste për të përditshmen greke "Ta Nea" tha se rol të rëndësishëm në këtë kishin vendosmëria e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis
Misioni i presidentit Erdoğan përfshin lënien mënjanë të mosmarrëveshjeve historike midis vendeve tona në këtë periudhë sfiduese dhe veprimin në unitet dhe solidaritet, shtoi Fidan, duke nënvizuar vizionin e Türkiyes për ta shndërruar Detin Egje në një det paqeje.
Fidan tha se është e nevojshme t'u sqarohet atyre që kritikojnë afrimin mes Türkiyes dhe Greqisë se interesat kombëtare të të dy vendeve mund të sigurohen vetëm me miqësi dhe bashkëpunim.
"Sigurisht që për ta arritur këtë duhet të veprojmë në mënyrë reale dhe të bëjmë diagnoza të sakta të problemeve tona", shtoi ai.
Fidan tha se delimitimi i kufijve detarë nuk është problemi i vetëm, duke shtuar se ka shumë mosmarrëveshje të tjera të cilat janë të ndërthurura.
"Ka ardhur koha që këto probleme të adresohen përmes respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë", tha ai.
I pyetur për marrëdhënien e tij me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, Fidan nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së dialogut të ndershëm dhe të hapur për të parandaluar përshkallëzim të tensioneve në një krizë.
"Natyrisht, ka shumë çështje të rëndësishme për të cilat nuk pajtohemi. Megjithatë, ne tashmë kemi qenë dëshmitarë të përfitimeve nga mbajtja e kanaleve të komunikimit", tha ai.
Për planin e Greqisë për të ndërtuar një park detar në Detin Egje, pavarësisht kundërshtimeve nga Türkiye, Fidan përsëriti se Türkiye është e hapur për bashkëpunim me Greqinë për këtë çështje, por çështja e mbrojtjes së mjedisit nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike.
Fidan u shpreh se ka shumë arsye për të qenë optimist për perspektivat e marrëdhënieve turko-greke.
"Unë nuk shoh rrugë tjetër përveç dialogut dhe bashkëpunimit për sigurinë dhe prosperitetin e brezave tanë të ardhshëm", tha ai.
Për problemin dhjetëvjeçar të Qipros, Fidan tha se duhet kuptuar nga të gjitha palët e interesuara se nuk mund të bëhet fjalë për "ribashkimin e ishullit".
Ai u shpreh se ende është e mundur të kërkohet një zgjidhje dhe për këtë duhet pranuar realitetet në terren.
"Ekziston nevoja për një vizion që do të sigurojë prosperitetin, sigurinë, paqen dhe sovranitetin e qipriotëve turq dhe grekë", tha ai./AA