Lidhje


HRW: Irani po e përdor e"kzekutimin për t’i sh"typur pakicat

Autoritetet iraniane janë duke i përdorur ekzekutimet si “mjet frike”, posaçërisht kundër pakicave, kundërshtarëve dhe shtetasve të huaj, tha të mërkurën organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW). Kjo organizatë theksoi një rritje rishtazi të dënimeve kapitale kundër këtyre grupeve, duke nënvizuar se ka shkelje të pakontrolluar të proceseve gjyqësore në dhënien e dënimeve.


Sipas Grupit Iranian për të Drejtat e Njeriut, në 10 muajt e parë të këtij viti janë ekzekutuar të paktën 651 njerëz në Iran – prej të cilëve 166 vetëm në tetor.HRW-ja e përmendi rastin e të burgosurës politike kurde, Varisheh Moradi, e cila u dënua me vdekje nga gjykata revolucionare e Iranit në Teheran, më 10 nëntor, nën akuzat për “kryengritje të armatosur kundër shtetit”.

 

Moradi, anëtare e Shoqatës së Grave të Lira të Kurdistanit Lindor, u arrestua në qytetin Sanandaj në Provincën e Kurdistanit në gusht të vitit të kaluar dhe u mbajt për pesë muaj në izolim në burgun famëkeq Evin, ku u torturua. Familja e saj nuk është lejuar ta vizitojë që nga maji, sipas grupit.

 

"Autoritetet iraniane e përdorin dënimin me vdekje si mjet frike, duke synuar veçanërisht pakicat etnike dhe disidentët politikë pas gjykimeve të padrejta", tha Nahid Naghshbandi nga HRW-ja.

 

"Kjo taktikë brutale ka për qëllim ta shtypë çdo kundërshtim ndaj Qeverisë autokratike përmes frikësimit", shtoi ajo.

 

Pesë burra të tjerë kurdë janë dënuar me vdekje javët e fundit nën akuza për "spiunazh për Izraelin", tha HRW.

 

Katër të burgosur arabë nga Ahvazi, në Provincën Khuzestan, janë në rrezik të ekzekutimit të menjëhershëm, pasi janë dënuar me vdekje nga një gjykatë revolucionare, së bashku me dy individë të tjerë, për përfshirjen e dyshuar në vrasjet e dy anëtarëve të Basijit, një oficeri të forcave të rendit dhe një ushtari.


Katër të burgosurit - Ali Majdam, Moein Khonafri, Mohammadreza Moghadam dhe Adnan Gheibshavi (Musavi) - u arrestuan në vitet 2017 dhe 2018, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

 

Në veçanti shtetasit afganë në Iran kanë qenë në shënjestër të dënimeve me vdekje, theksoi HRW, duke shtuar se, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 49 shtetas afganë janë ekzekutuar në Iran këtë vit, 13 vetëm gjatë muajit të kaluar.

 

Mai Sato, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, gjithashtu ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen "alarmante" të numrit të ekzekutimeve.

 

"Vetëm në gusht 2024, të paktën 93 persona u ekzekutuan, gati gjysma në lidhje me shkeljet e ligjit për drogën", tha Sato më 1 nëntor./Rel

XS
SM
MD
LG