Lidhje


Ku është Kledioni? I përfshirë në sh.errin mes të m.iturve por ‘i mbrojtur’ nga policia?

Pak ditë më parë, babai i 14-vjeçarit Luis Meçja, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë ku u vra bashkëmoshatari i tij Martin Cani, dha një deklaratë për mediat.

 

Duke shpjeguar gjendjen shëndetësore të djalit të tij, ai tha se në sherrin mes të miturve kanë qenë dy autorë. Ai tha se Luisi dhe Martini janë goditur nga dy persona, njëri Mario Prelleshaj, autori i arrestuar dhe tjetri Kledion Begaj, shok i Marios.

 

Sipas tij Kledioni ka goditur me një thikë të vogël Luisin pas shpine është larguar duke u lënë i lirë nga policia. Madje ai tha se i mituri po mundohet të ikë nga Shqipëria bashkë me prindërit dhe kërkoi arrestimin e tij të menjëhershëm.

 

"Nuk është një autor vrasës, por janë dy autorë vrasës. Dua ta denoncoj se personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin pas shpine, është Kledjon Begaj. Kërkoj arrestim të shpejtë, sepse kam marrë vesh se ka marrë prindërit dhe do të largohet nga Shqipëria, ose është larguar. Kjo është deklaratë zyrtare nga policia. Kledjon Begaj është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit dhe të shkojë të dorëzohet vetë."

 

Menjëherë pas deklaratës së tij, Policia nxitoi ta përgënjeshtroi duke thënë se nuk ka patur një autor të dytë dhe akuzoi edhe mediat se po dëmtojnë sekretin hetimor dhe po dezinformojnë opinionin publik.

 

"Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje".

 

Por në proces verbalin e mbajtur nga oficeri ditën e ngjarjes, Policia del 'bllof' me deklaratën përgënjeshtruese të saj. Oficeri i Policisë Gjyqësore në DVPT ka konstatuar se sherri ka ndodhur ndërmjet Martinit, Luisit dhe Marseldit (shokë) kundrejt Mario Prelleshajt dhe Kledion Begajt (shokë).

 

Deri më tani, për policinë 14-vjeçari Mario Prelleshaj është autori i vetëm i kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa për rolin e Kledionit nuk thuhet asnjë fjalë, as nëse është thirrur për të dëshmuar si dëshmitar por edhe i përfshirë në ngjarje.

 

Mbetet e paqartë arsyeja pse policia nuk është transparente në zbardhjen e kësaj ngjarje dhe rolin e pjesëmarrësve pasi vendosja e drejtësisë dhe qetësimi i opinionit publik, nuk mund të vendoset duke 'shpëtuar' e mbrojtur përgjegjësit.

 

Ndërkohë që lista e pikëpyetjeve për këtë ngjarje është e gjatë pasi ende nuk dihet se cili apo cilët ishin personat që morën në makinë autorin e dyshuar pas ngjarjes, në makinën ku më pas u publikua edhe një foto e të miturit, ku shfaqej me plagë në dorë.

 

/JOQ

XS
SM
MD
LG