Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për "skenar të kohës së l.uftës"
Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s u bëri thirrje bizneseve që të përgatiten për një "skenar të kohës së luftës" duke afruar linjat e tyre të prodhimit në vend që të mbështeten te Kina dhe Rusia, të cilat mund të mbyllin qasjen pas fillimit të një lufte, transmeton Anadolu.
"Bizneset duhet të përgatiten për një skenar të kohës së luftës dhe të rregullojnë linjat e tyre të prodhimit dhe shpërndarjes në përputhje me rrethanat. Pasi teksa mund të jetë ushtria që fiton betejat, janë ekonomitë ato që fitojnë luftërat", tha admirali Rob Bauer, kryetar i Komitetit ushtarak të NATO-s, gjatë një fjalimi në një aktivitet të organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane në Bruksel.
Duke theksuar se parandalimi nuk ka të bëjë vetëm me kapacitetin ushtarak, por se të gjitha mjetet e disponueshme mund të përdoren si armë, ai tha: "Ne po e shohim këtë me numrin në rritje të akteve të sabotimit dhe Evropa e ka parë këtë me furnizimin me energji".
"Ne menduam se kishim një marrëveshje me kompaninë ruse të energjisë 'Gazprom', por në fakt kishim një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin", tha Bauer.
"Dhe e njëjta gjë vlen edhe për infrastrukturën dhe mallrat në pronësi kineze. Ne në fakt kemi një marrëveshje me presidentin kinez Xi Jinping", theksoi ai.
Bauer paralajmëroi se bizneset në Evropë dhe SHBA duhet të kuptojnë se vendimet e tyre tregtare kanë pasoja strategjike për sigurinë e vendeve të tyre./AA