Lidhje


Raportuesja e OKB-së: Pretendimi i Francës për imunitet të N.etanyahut nga GJNP-ja nuk ka vlefshmëri ligjore

Raportuesja e posaçme e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese hodhi poshtë pretendimet e Francës për imunitet në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke argumentuar se një imunitet i tillë nuk ka vlefshmëri juridike, raporton Anadolu.

 

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot dje tha se disa liderë mund të kenë imunitet sipas Statutit të Romës, traktatit që krijoi GJND-në. Barrot theksoi se Statuti i Romës "trajton çështjet e imunitetit për disa liderë", duke shtuar se çështje të tilla në fund i përkasin autoriteteve gjyqësore.

 

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Francës në një deklaratë theksoi përkushtimin e vendit në respektimin e angazhimeve ndërkombëtare në bazë të Statutit të Romës, duke thënë: "Franca do të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare, duke kuptuar se Statuti i Romës kërkon bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP)".

 

Në deklaratë theksohet se "një shteti nuk mund t'i kërkohet të veprojë në një mënyrë të papajtueshme me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar në lidhje me imunitetet e shteteve që nuk janë palë në GJNP".

 

E pyetur nga Anadolu në një intervistë nëse ky pretendim ka ndonjë vlefshmëri ligjore, Francesca Albanese tha: "Jo, sepse është zgjidhur tashmë nga gjykata në rastin e Omar al-Bashir-it në të kaluarën dhe askush nuk është ankuar".

 

Al-Bashir është një ish-oficer ushtarak sudanez dhe ish-kreu i shtetit, i cili u padit nga GJNP në 2009 dhe 2010 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër civilëve në Darfur.

 

"Argumenti i imunitetit të shtetit nuk mund të bëhet. Gjykata e ka thënë këtë tashmë", tha Albanese. Ajo nënvizoi se pengimi i zbatimit të një urdhër-arresti të GJNP-së mund të konsiderohet shkelje e nenit 70 të Statutit të Romës.

 

"Dua të theksoj faktin se pengimi i zbatimit të një urdhër-arresti të GJNP-së mund të shihet si shkelje e nenit 70, një pengesë për dhënien e drejtësisë, e cila është vepër penale, një vepër penale në vetvete", tha ajo.

 

Albanese e përshkroi si "standard të dyfishtë" qasjen kontradiktore të Francës ndaj urdhrit kundër Netanyahut dhe atij të lëshuar kundër presidentit rus Vladimir Putin në mars 2023, pasi edhe Rusia nuk është palë e traktatit.

 

Javën e kaluar, GJNP lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

 

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës./AA

XS
SM
MD
LG