Trump k.ërcënon me tarifa 100 për qind për vendet anëtare të BRICS-it në rast të zëvendësimit të dollarit
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë 100 për qind ndaj çdo vendi anëtar në organizatën BRICS, e cila përpiqet të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Trump i referohej aleancës ekonomike të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, tani e zgjeruar duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratat e Bashkuara Arabe. “Ideja që vendet e BRICS-it po përpiqen të largohen nga dollari derisa ne qëndrojmë pranë dhe vëzhgojmë, ka përfunduar”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Trump kërkoi që vendet e BRICS-it të angazhohen për përdorimin e dollarit si monedhë rezervë dhe të përmbahen nga krijimi i një monedhe të re ose alternativa mbështetëse.
“Ne kërkojmë një angazhim nga këto vende që ata as të mos krijojnë një monedhë të re BRICS, as të mos mbështesin ndonjë monedhë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan ose ata do të përballen me tarifa 100 për qind dhe duhet t’i thonë lamtumirë shitjes në ekonominë e mrekullueshme të SHBA-së”, tha Trump.
Në vitet e fundit, BRICS ka diskutuar ndryshimin nga dollari, me diskutimet që u intensifikuan pasi SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022 pas "operacionit special ushtarak" të saj në Ukrainë.
"Nuk ka asnjë mundësi që BRICS të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare dhe çdo vend që përpiqet duhet t'i thotë lamtumirë Amerikës", theksoi Trump.
Kërcënimi i fundit vjen pas propozimeve të Trumpit, duke përfshirë tarifa 25 për qind ndaj Meksikës dhe Kanadasë, si dhe një tarifë shtesë prej 10 për qind ndaj Kinës, për të trajtuar migracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës në SHBA.
Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të Trumpit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për sqarime mbi specifikat e tarifave për vendet e BRICS-it ose Kinën./AA