Lidhje


Simboli i supervjedhjes/Autostrada Thumanë-Kashar me pagesë nga 4-Janari

Prej 4 Janarit 2025, autostrada Thumanë-Kashar do të bëhet zyrtarisht një makinë gjigante për zhvatjen e qytetarëve shqiptarë. Me tarifa fillestare prej 2.1 eurosh për kalim, kompania koncesionare “Gener 2” e oligarkut Bashkim Ulaj do të sigurojë fitime marramendëse, ndërsa përdoruesit e rrugës do të përballen me një tjetër goditje financiare në përditshmërinë e tyre. Tarifat mund të rriten çdo vit sipas dëshirës së kompanisë, duke përdorur si justifikim luhatjet e kursit të këmbimit lekë-euro.



Aksi Thumanë-Kashar, që duhej të shërbente si një investim për lehtësimin e lëvizjes, është kthyer në simbol të zhvatjes financiare dhe abuzimeve të rënda. Ky është aksi më i shtrenjtë në botë për kilometër:

 


59 euro për milimetër rrugë
590 euro për centimetër rrugë
59,000 euro për metër rrugë
59 milionë euro për kilometër rrugë



Në një periudhë 35-vjeçare, kompania “Gener 2” do të përfitojë mbi 1.3 miliardë euro nga vetëm 22 kilometra rrugë, një shumë që tregon hapur nivelin e supervjedhjes që po ndodh. Kjo ndodh në një kohë kur rruga u ndërtua me një cilësi skandaloze, duke shfaqur valëzime dhe gropa pas vetëm dy muajsh nga inaugurimi. Ekspertët kanë zbuluar se kompania ka përdorur vetëm 30% të trashësisë së parashikuar të asfaltit, duke vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën e përdoruesve.



Fillimisht e parashikuar me një kosto prej 188 milionë dollarësh, vlera e rrugës është fryrë në mënyrë kriminale në 435 milionë euro, ndërkohë që 25% e projektit nuk është realizuar. Këto para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë nuk janë reflektuar as në ndriçim, as në elementë sigurie, as në parametra minimalë cilësie.



Ndryshimet e qëllimshme në projekt eliminuan nyjet lidhëse për qendrat e banuara, duke krijuar një monopol të pastër për kompaninë e Ulajt. Kjo i detyron qytetarët të përdorin vetëm këtë aks me pagesë, duke u privuar nga çdo alternativë falas, një akt që përbën një shkelje të hapur të të drejtave të tyre si përdorues.



Përballë këtyre abuzimeve kolosale, heshtja e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, është skandaloze./joq

XS
SM
MD
LG