Fidan në Damask takon liderin e administratës së re siriane: Integriteti territorial i Sirisë i panegociueshëm, nuk ka vend për grupit terrorist PKK/YPG në vend
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, pas takimit në Damask me liderin e administratës së re siriane, Ahmed al-Sharaa, ka deklaruar se integriteti territorial i Sirisë është i “panegociueshëm” dhe ka riafirmuar se nuk ka vend për grupin terrorist YPG/PKK në vend, raporton Anadolu.
“Nuk është koha për të pritur dhe për të parë. Ne duhet të marrim masa. Integriteti territorial i Sirisë është i panegociueshëm. Ne duam të ritheksojmë se nuk ka vend për PKK/YPG-në në Siri”, tha Fidan në konferencën e përbashkët për media me al-Sharaa.
Shteti turk, populli turk dhe president Recep Tayyip Erdoğan, theksoi shefi i diplomacisë turke, do të qëndrojnë gjithmonë pranë Sirisë dhe popullit sirian.
"Sot, si Türkiye, me të drejtë jemi krenarë që jemi në anën e duhur të historisë", theksoi ai.
Duke iu referuar sulmeve të fundit të Izraelit në tokat siriane pas rënies së regjimit të Partisë Baath, Fidan tha se është “absolutisht e papranueshme” të tolerohet që Izraeli të shfrytëzojë situatën aktuale për të pushtuar territoret e Sirisë.
Al-Sharaa, nga ana e tij, tha se në takim me ministrin turk diskutoi të ardhmen e Sirisë. Ai shtoi se Türkiye, “vendi mik”, ka qëndruar pranë sirianëve që nga fillimi i revolucionit.
Lideri i administratës së re siriane gjithashtu tha se të vetmit që do të mbajnë armë në Siri do të jetë shteti, duke argumentuar se nuk do të pranohet asnjë grup i armatosur, qoftë në zonat nën kontrollin e tyre apo ato nën kontrollin e terroristëve të PKK/YPG-së./AA