SHBA heq shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për kreun e HTS-së pas bisedimeve në Damask
SHBA njoftuan se nuk do të ofrojnë më "shpërblimin për drejtësi" prej 10 milionë dollarësh për liderin e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammad al-Jolani, raporton Anadolu.
"Unë i thashë atij (liderit të HTS-së, Ahmed al-Sharaa) se nuk do të ndiqnim Shpërblimet për Drejtësi, ofertë e shpërblimit që ka qenë në fuqi prej disa vitesh", u tha gazetarëve Barbara Leaf, Ndihmës Sekretarja amerikane e shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, pas takimit të saj me zyrtarët e HTS-së në Damask.
Në bisedën e saj me al-Sharaa, Leaf tha se kishte një diskutim "të mirë", "të plotë" mbi disa çështje rajonale, si dhe për skenën e brendshme.
"E dëgjova atë për prioritetet e tij, të cilat janë shumë të rrënjosura dhe të orientuara për të çuar Sirinë në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike", vazhdoi ajo.
Ajo tha se kreu i HTS-së u konsiderua si "pragmatik", duke shtuar: "Ne e kemi dëgjuar këtë për disa kohë, disa deklarata shumë pragmatike dhe të moderuara për çështje të ndryshme, nga të drejtat e grave deri te mbrojtja, të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet".
"Ishte një takim i parë i mirë. Ne do të gjykojmë me vepra, jo vetëm me fjalë", shtoi ajo.
Duke theksuar "nevojën kritike për të siguruar që grupet terroriste nuk mund të përbëjnë një kërcënim brenda Sirisë apo jashtë", ajo tha se lideri i HTS-së ka shprehur një angazhim për këtë gjithashtu.
Ky ishte takimi i parë midis zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të HTS-së disa ditë pasi Bashar Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Kjo erdhi pasi luftëtarët e HTS-së pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.
HTS është cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, OKB dhe Türkiye. Megjithatë, grupi dhe udhëheqësi i tij kanë synuar të riemërohen, si një forcë më e moderuar në Siri, duke theksuar përfshirjen dhe një rrugë politike përpara.
Sipas disa raporteve, SHBA, së bashku me OKB-në dhe disa vende të tjera, konsiderojnë heqjen e HTS-së nga lista e terrorizmit, megjithëse zyrtarët ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht./AA