Lidhje


Shefi i diplomacisë siriane: Arabia Saudite do të ndihmojë në rimëkëmbjen e Sirisë

Arabia Saudite, sipas burimeve zyrtare, ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për popullin sirian dhe administratën e sapoformuar në Siri, duke afirmuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në rimëkëmbjen e vendit dhe për të mbështetur unitetin dhe integritetin e tij territorial, transmeton Anadolu.

 

Sipas agjencisë siriane të lajmeve SANA, ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, "përcolli vizionin kombëtar për të formuar një qeveri siriane të bazuar në përfshirjen dhe kompetencën, duke përfaqësuar të gjithë komponentët sirianë".

 

"Ne po ashtu përvijuam planet për një strategji gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik për të tërhequr investime, për të nxitur partneritetet strategjike dhe për të përmirësuar standardet e jetesës dhe shërbimet publike", tha Al-Shaibani.

 

Arabia Saudite riafirmoi angazhimin e saj për të mbështetur popullin sirian dhe administratën e tyre të re.

 

Ministri sirian theksoi gatishmërinë e mbretërisë saudite për të kontribuar në rimëkëmbjen e Sirisë dhe për të mbështetur unitetin dhe integritetin e saj territorial.

 

Kjo është vizita e parë e një zyrtari sirian në qeverinë e re tranzitore të formuar pas rrëzimit të Bashar al-Asadit, duke treguar një ndryshim të mundshëm në dinamikat rajonale dhe rolin e Sirisë në botën arabe.

 

Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vite, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

 

Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Shamit arritën kontroll mbi qytetet kryesore në një ofensivë që zgjati më pak se dy javë.

 

Administrata e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa tani ka marrë përgjegjësinë e qeverisjes./AA

XS
SM
MD
LG