Jep dorëheqjen kryeministri Trudeau, Trump: Shumë kanadezë duan të jenë shteti i 51-të i SHBA!
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka njoftuar dorëheqjen nga posti i tij pas nëntë vitesh si lider i vendit, duke deklaruar se nuk mund të jetë më zgjedhja më e mirë për zgjedhjet e ardhshme.
Trudeau, 53 vjeç, në një konferencë për shtyp në Ottawa, tha: "Unë dua më të mirën për Kanadanë dhe është bërë e qartë se beteja ime e brendshme politike nuk më lejon të jem alternativa më e mirë për zgjedhjet e ardhshme. Parlamenti ka qenë i paralizuar prej muajsh, dhe ky është momenti i duhur për t’u tërhequr."
Lajmi i dorëheqjes së kryeministrit kanadez ka shkaktuar reagime të shumta, ku midis tyre kanë qenë edhe edhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe biznesmeni miliarder, Elon Musk.
Nëpërmjet një postimi në platformën Truth Social, Trump tha se shumë kanadezë duan të jenë shteti i 51-të i SHBA-së.
"Shumë njerëz në Kanada duan të jenë Shteti i 51-të i SHBA. Vendi ynë nuk mund të durojë më deficitin tregtar masiv dhe subvencionet që Kanadaja ka nevojë për të mbijetuar. Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen."
Trump madje sugjeroi që bashkimi mes SHBA dhe Kanadasë do të eliminonte tarifat dhe do të ulte taksat. Ndërkohë, Elon Musk komentoi shkurt në rrjetin social X duke shkruar: "2025 duket shumë premtuese."
Problemet që e detyruan Trudeau të largohej ishin të shumta, duke përfshirë dorëheqjen e papritur të zv.kryeministres dhe ministres së Financave, Chrystia Freeland, e cila kritikoi politikat e tij si "manovra politike të pamatura".
Kanadaja gjithashtu rrezikon të përballet me tarifa të mëdha prej 25% nga administrata e re e Trump, çka shton pasiguritë ekonomike për vendin./joq