Skandali i radhës, Tom Doshi zgjohet opozitar/ Skema e PS për të shtuar numëruesit e votave
Për t’i shtuar Partisë Socialiste një numërues votash në 11 Maj, mjafton që Elisa Spiropali të mendojë se Tom Doshi ka kaluar me opozitën. Dhe Spiropali s’ka si të mendojë tjetër veçse atë që i intereson partisë. Duke pasur këtë interes si prioritet, ajo ka hedhur firmën mbi dokumentin që i ka dërguar komisionerit të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit, të cilit i duhet një ndarje e partive për të llogaritur ndarjen e numëruesve të votave në zgjedhjet e 11 majit.
Më poshtë është dokumenti me firmën e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Siç mund të shihet më poshtë, në përshkrimin që i bën Partisë Socialdemokrate, ajo thotë se e konsideron atë PAKICA PARLAMENTARE.
Me pak fjalë, ndërsa deputetët e Tom Doshit votojnë pro nismave të Edi Ramës në parlament, ndërsa PSD u çon vota kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet për bashkitë, ndërsa ndajnë drejtorë dhe pushtet bashkë, kur vjen puna te ndarja e numëruesve, na del se Tom Doshi është në anën e Sali Berishës, Ilir Metës apo Fatmir Mediut.
Lajthitja e Spiropalit nuk është as e para, por as e rastësishme. Sepse në bazë të dokumentit më lart, partia e Tom Doshit, bëhet pjesë e shortit për ndarjen e numëruesve të opozitës.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është i detyruar tashmë që në shortin e partive të opozitës për ndarjen e numëruesve të bëjë pjesë edhe Tom Doshin, duke i dhënë mundësinë kështu shumicës PS-PSD të ketë kontrollin me tre numërues (nga katër gjithsej) të disa tryezave të numërimit që do të caktohen nga shorti.
Opozita i kërkoi Elisa Spiropalit ta tërheqë dokumentin e mësipërm, të cilin e konsideron një shkelje të barazisë në zgjedhje.“Këtë skandal opozita nuk ka për ta lejuar, dhe e paralajmëron Lajen e Kuvendit se, po nuk u tërhoq vetë, do paditet në SPAK për abuzim dhe shpërdorim me detyrën si dhe falsifikim” u shpreh sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso.
Në zgjedhjet e kaluara, Tom Doshi nuk garoi zyrtarisht në koalicion me Partinë Socialiste.
Por gjatë katër viteve të fundit, deputetët e PSD-së kanë qenë gjithnjë pro projektligjeve dhe nismave të qeverisë Rama. Ndërkohë në Shkodër, ku Tom Doshi ka mbështetjen më të madhe, ai mbështeti Benet Becin gjatë fushatës së zgjedhjeve të 14 Majit 2023, dhe ka ndarë pushtet me socialistët.
Dhe ndërkohë që biznesi politik mbeti në fuqi, Edi Rama ruajti një distancë sa për sy e faqe me Tom Doshin që pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu kur gazetarët e fotografuan Tom Doshin duke hyrë në kryeministri dy vite më parë, Edi Rama dha një përgjigje qesharake për gazetarët.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Kush hyn dhe kush del në këtë godinë nuk është fare detyra ime. Unë hyj nga diku dhe kam pjesën time të punës. Është detyra juaj të përgjoni kush hyn e kush del”, u tha Rama gazetarëve që e zunë gafil./Lapsi.al