Lidhje


Kush e nxorri në pritë Azbiun e shkretë?

Mesditën e së mërkurës, datë 15 janar, Oficeri i Policisë Gjyqsore pranë Komisariatit Rrugor Tiranë Azbi Spahiu tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i 11 i një pallati në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

 

Para se të ndërmerrte këtë akt të rëndë, 57-vjeçari i kishte dërguar një mesazh të birit duke i thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia. Por se si arriti 57-vjeçari në vendimin për të marrë këtë akt, trysninë dhe presionin që mori, duhet të kthehemi disa ditë pas, mesnatën e së premtes duke u zbardhur e shtuna, 11 janar.

 

Këtë natë, oficeri i Policisë Rrugore, Azbi Spahiu ndaloi të riun Martin Mane pasi u përfshi në një aksident pranë Parlamentit.

 

Por urdhri për ndalimin e arrestimin flagrant të Manes dyshohet se nuk ka qenë i tij. Referuar dëshmitarëve, Azbi Spahiu ka deklaruar se urdhrin për arrestimin e djalit të bisnesmenit e ka marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Megjithatë në fillim ai e ka refuzuar urdhrin e dhënë nga lart pasi sipas tij nuk ishin elementët e mjaftueshëm për të kryer arrestim në flagrancë. Por dyshohet se me presionin e trysninë e Prodës ai ka proceduar duke urdhëruar arrestin në flagrancë.

 

Nga ana tjetër, menjëherë sapo ngjarja filloi të rrjedhë e të bëjë bujë, Ilir Proda hoqi nga vetja përgjegjësinë e urdhrit dhe dërgoi para Agjencisë së Mbikeqyrjes Policore, oficer Spahiun pasi Prokuroria e cilësoi të paligjshëm arrestimin e Manes.

 

Në këto rrethana, natyrshëm lind pyetja se vetë Proda a do dalë para AMP-së për urdhrin e dhënë, apo do shpëtojë kokën siç bëri me rastin e autorit të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

 

JOQ ALBANIA ishte e para që zbuloi skandalin e fshehjes së autorit të dytë pasi ishte djali i një oficeri në Byronë Kombëtare të Hetimit, por Policia, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha madje edhe kryeministri Edi Rama e përgënjeshtruan me të madhe deri në kufijtë e kërcënimit, që gazetarët të mos fusin hundët në hetime.

 

Ndërkohë që duhet thënë se ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që policia tenton të fshehë me kërcënime gabimet, qokat dhe gjobat e saj.

 

Gjatë verës, JOQ ALBANIA ishte e vetmja që raportoi të vërtetën në vrasjen barbare të Egli Prodës në Pogradec, por sërish kokat e larta të Policisë për të mbuluar gabimet e tyre çuan për hetim dhe pezullan vartësit e tyre që punojnë për bukën e gojës, në verë e dimër pa marrë prej muajsh shpërblimet e rrogat që meritojnë.

 

Pavarësisht këtyre, shqetësues është fakti se raste të tilla sa vijnë e shtohen, besimi i popullit në Policinë e Shtetit zbehet e madje zhduket fare.

 

Që policia të duartrokitet e të ketë nderime ashtu siç duhet, përgjegjësit e këtyre krimeve duhet të dalin në sheshin e gjykimit dhe ngjarjet të zbardhen ashtu siç kanë ndodhur./JOQ

XS
SM
MD
LG