Lidhje


Kryeministri britanik dhe Presidenti gjerman : Plani i Trumpit për të marrë kontrollin e Gazës është "i papranueshëm". Qytetarët e Gazës duhet të kthehen në shtëpitë e tyre

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer tha se palestinezët në Gaza duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të rindërtojnë jetën e tyre.Starmer iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Dhomës së Komunave në seancën javore "Pyetje për Kryeministrin" të mbajtur në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Ed Davey, kreu i Liberal Demokratëve, grupit të tretë më të madh në parlament, në pyetjen e tij vuri në dukje thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump për largimin me forcë të popullit palestinez nga tokat e tij.

 

Pasi kujtoi bisedimet e kryeministrit Starmer me Trumpin, Davey shtroi pyetjen "A mendon kryeministri se Trump po rrezikon një armëpushim të brishtë dhe sigurinë e palestinezëve dhe izraelitëve duke bërë deklarata të tilla? A do të diskutoni drejtpërdrejt dhe seriozisht me Shtëpinë e Bardhë angazhimin tonë për zgjidhjen me dy shtete dhe shqetësimin tonë për këto deklarata të rrezikshme?".

 

Starmer u përgjigj duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të armëpushimit dhe tha se ka dy imazhe që i kanë mbetur në mendje në dy javët e fundit.

 

Ai deklaroi se e para prej tyre ishte imazhi i britanikes së mbajtur peng, Emily Damari që ribashkohej me familjen e saj ndërsa tjetri janë mijëra palestinezët që ecnin nëpër rrënojat në Gaza, duke kërkuar shtëpitë dhe fqinjët e tyre. "Ata duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, duhet të lejohen të rindërtojnë jetën e tyre. Edhe ne duhet të jemi me ta në rrugën që shkon drejt rindërtimit dhe zgjidhjes me dy shtete", tha kryeministri britanik.

 

Transferimi i sovranitetit të Arkipelagut Chagos tek Mauritiusi

 

Liderja e Partisë Konservatore kryesore të opozitës, Kemi Badenoch duke iu referuar marrëveshjes me Mauritiusin mbi sovranitetin dhe përdorimin e arkipelagut Chagos, tha se "Sa herë që qeveria negocion diçka, ne humbasim".

 

Badenoch vuri në dukje lajmet se Britania do të paguajë 18 miliardë sterlina në këmbim që Mauritiusit t'i jepet sovraniteti mbi Arkipelagun Chagos në Oqeanin Indian dhe shtroi pyetjen pse qeveria po tërhiqet nga investimet strategjike.

 

Kryeministri Starmer tha se negociatat e bëra para marrëveshjes me Mauritiusin filluan gjatë periudhës së Partisë Konservatore dhe 11 nga 13 raundet, përfunduan gjatë asaj periudhe.

 

"Pasiguritë ligjore kërcënojnë sigurinë e bazës britanike në ishull. potencoi Starmer.

 

Britania në tetor 2024 njoftoi se Arkipelagun Chagos nën kontrollin e saj do t'ia transferonte Mauritiusit.

 

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump për planin e tij për të marrë nën kontroll Gazën dhe për të zhvendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera.

 

“Një zgjidhje që shpërfill ose madje shkel ligjin ndërkombëtar është e papranueshme”, tha Steinmeier gjatë vizitës së tij në Ankara. Ai shprehu dyshimin e tij për suksesin e mundshëm të bisedimeve të tilla midis administratës Trump dhe shteteve arabe.

 

Pas takimeve të nivelit të lartë në Arabinë Saudite dhe Jordani, Steinmeier theksoi kundërshtimin e gjerë rajonal ndaj planit të propozuar. Duke folur për mediat gjermane përpara takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Steinmeier tha se ai ka hasur në “vetëm zhgënjim, shumë shqetësime dhe në disa raste zemërim të vërtetë” ndaj planit të Trumpit.

 

Presidenti gjerman theksoi se çdo zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez duhet të garantojë “siguri për Izraelin dhe vetëvendosje për palestinezët”.

 

“Kjo është një rrugë e vështirë dhe ndoshta më e gjatë”, tha Steinmeier. “Por kam frikë se shkurtoret arbitrare nga kjo rrugë – veçanërisht ato që shpërfillin ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e tij – nuk do të çojnë te qëllimi”.

 

Komentet e tij pasojnë deklaratën e Trumpit se “SHBA-ja do të marrë Rripin e Gazës” gjatë një konference shtypi të martën në mbrëmje së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

 

Trump tha se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti, me SHBA-në që do ta kthejë këtë territor në “rivierë të Lindjes së Mesme”.

 

Propozimi tërhoqi dënime të ashpra nga Palestina dhe u refuzua kategorikisht nga shumë vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Türkiyen, Spanjën, Francën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.

XS
SM
MD
LG