Lidhje


DeepSeek nën akuzë: I dërgon qeverisë kineze të dhënat e përdoruesve

DeepSeek, shpikja e re kineze e Inteligjencës Artificiale që u bë e famshme në mbarë botën në vetëm pak ditë, ka një kod të fshehur në programimin e saj që ka aftësinë t’i dërgojë të dhënat e përdoruesve drejtpërdrejt qeverisë kineze. Kështu u shprehën disa ekspertë për televizionin amerikan ABC pas kryerjes së një studimi të thelluar mbi teknologjinë e re të Pekinit.

 

Kjo është një akuzë shumë e rëndë, të cilën ABC News e nënvizon duke cituar disa ekspertë të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike. Mes tyre është Ivan Tsarynny, CEO i Feroot Security, një kompani kanadeze që merret me sigurinë në internet dhe mbrojtjen e të dhënave.

 

“Ne shohim lidhje të drejtpërdrejta me serverët dhe kompanitë në Kinë që janë nën kontrollin e qeverisë kineze. Dhe kjo është diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë” – tha Tsarynny. Sipas tij, ata që regjistrohen në DeepSeek e bëjnë këtë, pa dijeninë e tyre duke i bërë të dhënat e tyre të aksesueshme për qeverinë kineze. Përdoruesit që regjistrohen ose hyjnë në DeepSeek mund të krijojnë pa vetëdije llogari në Kinë, duke i bërë të dukshme identitetet e tyre, pyetjet e kërkimit dhe sjelljen në internet për sistemet shtetërore.

 

Ky kod, shpjegoi Tsarynny, është fshehur brenda DeepSeek dhe është në gjendje të transmetojë të dhënat e përdoruesit në faqen e internetit CMPassport.com, regjistri online i China Mobile, një kompani telekomunikacioni e kontrolluar nga qeveria kineze. Në vitin 2019, China Mobile u ndalua të operonte në Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Në vitin 2021 ajo u hoq edhe nga Wall Street.

 

Ndërkohë, ndalimet për DeepSeek po shtohen në të ashtuquajturin “Blloku Perëndimor”. Koreja e Jugut ka vendosur të bllokojë përdorimin e DeepSeek në kompjuterët e disa punonjësve të qeverisë. Ashtu siç ndodhi në Itali, autoriteti korean që merret me privatësinë i ka kërkuar edhe kompanisë kineze sqarime për trajtimin e të dhënave personale. Tajvani gjithashtu ka ndaluar inteligjencën artificiale kineze “për arsye të sigurisë kombëtare” dhe i njëjti paralajmërim është dërguar në zyrat e Kongresit të SHBA.

 

Vendimi i guvernatorit të Teksasit ishte më i shpejti, i cili ndaloi përdorimin e të gjitha aplikacioneve kineze në pajisjet qeveritare. Si masë paraprake, Departamentet e Marinës dhe Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagoni) ka ndaluar përdorimin e DeepSeek, një shembull i ndjekur edhe nga NASA, agjencia amerikane e hapësirës ajrore.

 

Një projekt-ligj dypartiak do të prezantohet në Kongresin e SHBA për të ndaluar përdorimin e tij në pajisjet e përdorura nga punonjësit federalë. Lajmin e publikoi “The Wall Street Journal”. Përfaqësuesit Darin LaHood nga republikanët dhe Josh Gottheimer nga demokratët kanë vendosur të prezantojnë projektligjin, duke i bërë jehonë strategjisë që ata përdorën për të ndaluar TikTok të kontrolluar nga kinezët nga pajisjet në pronësi të qeverisë. /LAPSI.al

XS
SM
MD
LG