Lidhje


Trump e fajësoi për luftën me Rusinë, Zelensky: Jeton në një "flluskë dezinformimi"

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu përgjigj të mërkurën homologut amerikan Donald Trump, i cili më herët e akuzoi kryeshtetarin e Ukrainës se me qëndrimet e tij e çoi vendin drejt luftës me Rusinë në vitin 2022, gjë që mund të ishte shmangur.

 

Duke folur para bisedimeve me të dërguarin e SHBA-së në Ukrainë, Zelensky tha se do të kishte dashur që ekipi i presidentit Trump "të kishte qenë më i vërtetë" për sa i përket Ukrainës.

 

Ai akuzoi Rusinë për përhapjen e dezinformatave lidhur me popullaritetin e tij, duke cituar sërish presidentin amerikan, sipas të cilit vlerësimi pro Zelensky ka rënë në 4 për qind dhe Ukraina duhet të shkojë në zgjedhje. Zelensky tha se Ukraina ka "prova" që shifrat janë manipuluar.

 

"Kemi prova se këto shifra po diskutohen midis Amerikës dhe Rusisë. Pra, Presidenti Trump ... fatkeqësisht jeton në këtë hapësirë dezinformimi," u shpreh Zelensky në një dalje televizive.

 

Zelensky theksoi se vlerësimi i ukrainasve për të mbetet i lartë. Ai citoi një sondazh që sugjeron se 58 për qind e ukrainasve kanë besim tek lidershipi i tij dhe çdo përpjekje për ta zëvendësuar tani nuk do të funksiononte.  

 

Përveç kësaj, Zelensky komentoi një propozim nga Trump që mund të lejonte SHBA-në të marrë një pjesë të mineraleve të rralla të Ukrainës, si litiumi dhe titani.

 

Ai e hodhi poshtë këtë propozim, duke thënë se drafti i parë i marrëveshjes parashikonte dhënien e 50% të pronësisë së këtyre burimeve SHBA-së, pa ofruar garanci sigurie për Ukrainën.

 

"Unë po mbroj Ukrainën. Nuk mund ta shes shtetin tonë," u shpreh Zelensky/rtsh.al

XS
SM
MD
LG