Presidenti sirian Sharaa njofton krijimin e një komiteti të pavarur hetimor për incidentet në Latakia

Presidenti sirian Ahmed Shara njoftoi krijimin e një komiteti kombëtar hetimor të pavarur për incidentet që ndodhën në Latakia më 6-7 mars, transmeton Anadolu. Në një deklaratë me shkrim nga presidenca siriane, thuhet se është caktuar një komitet i pavarur i përbërë nga shtatë anëtarë për të shqyrtuar të gjitha aspektet e incidenteve në Latakia dhe për të përcaktuar përgjegjësit.
Komiteti i pavarur hetimor është autorizuar të hetojë shkaqet dhe zhvillimin e ngjarjeve, të hetojë shkeljet kundër civilëve dhe të përcaktojë përgjegjësit, si dhe të shqyrtojë sulmet kundër institucioneve publike, forcave të sigurisë dhe ushtrisë.
Komiteti do të ketë gjithashtu autoritetin për të kërkuar mbështetje nga ekspertët kur është e nevojshme. Të gjitha institucioneve qeveritare u është kërkuar të bashkëpunojnë plotësisht me komitetin.
Komiteti hetimor pritet që brenda 30 ditëve të përfundojë raportin e tij gjithëpërfshirës mbi ngjarjet dhe ta dorëzojë atë në presidencën siriane.
Ditët e fundit, provincat bregdetare të Latakias dhe Tartusit kanë qenë skenë e tensioneve të shtuara të sigurisë mes sulmeve të koordinuara nga besnikët e ish-regjimit të Bashar Asadit. Këto sulme – të përshkruara si më të rëndat që nga rënia e regjimit në dhjetor – shjënjestruan patrullat e sigurisë, pikat e kontrollit dhe spitalet, duke rezultuar në të vdekur dhe të plagosur.
Si kundërpërgjigje, forcat e sigurisë dhe ato ushtarake nisën operacione gjithëpërfshirëse për të gjurmuar sulmuesit. Operacionet kanë çuar në përleshje të ashpra, ndërsa zyrtarët e qeverisë pohojnë se situata po shkon drejt stabilitetit të plotë.
Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Asadin, u shpall president për një periudhë kalimtare më 29 janar./AA