Pas 17 vjetësh, tragjedia e Gërdecit mbetet emblemë e korrupsionit vrasës të politikës shqiptare

Sot bëhen 17 vjet nga shpërthimi shkatërrimtar që i mori jetën 26 njerëzve plagosi mbi 200 të tjerë në fabrikën e demontimit të municioneve të ushtrisë në Gërdec në perëndim të kryeqytetit.
Familjarët e viktimave, mes të cilave dhe ata të 7-vjeçarit të ndjerë Erison Durdaj, nuk kanë gjetur drejtësi me dënimet e disa drejtuesve të fabrikës, kur krerët e vërtetë të bizneseve vijojnë të mbajnë postet e larta në pushtet.
Një ndër viktimat ishte Nafije Laçi, 37 vjeçe që kishte vetëm dy muaj që kishte filluar punën në fabrikë. Ajo la 3 fëmijë, më i vogli 10 vjeç në atë kohë.
Zamira Durda humbi djalin 7 vjeç Erisonin, ndërsa Dilaver Alhasa ka humbur gruan në shpërthimin shkatërrimtar të 15 Marsit 2008, e cila ishte punëtore në fabrikën e vdekjes.
Tushe Osmani humbi të bijën 19-vjecare nga shpërthimi në Gërdec por nuk e përballoi dot dhimbjen dhe vrau veten disa vjet më pas.
Këto ishin vetë disa nga tragjeditë e shkaktuara nga shpërthimi monstruoz 16 km larg Tiranës ku përveç vdekjeve e plagosjeve u rrafshuan dhjetëra banesa të zonës, prej babëzisë së një tufe njerëzish me pushtet.
Në opozitë Edi Rama e quante shpërthimin e Gërdecit një ‘krim shtetëror,’ ndërsa pas ardhjes në pushtet disa vjet më vonë në pushtet, Kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes luanin pingpong me dëmshpërblimet e familjarëve të viktimave.
Procesi penal ndaj 28 të pandehurve, drejtues të kompanisë Albademil dhe ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes u mbyll me dënime minimale dhe sot thuajse të gjithë të dënuarit janë të lirë/JOQ