Sulmoi dhe u vodhi paratë 3 vajzave filipinase në banesën e marrë me qira në Tiranë, arrestohet 32-vjeçari nga Kosova
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction” është vënë në pranga 32-vjeçari nga Kosova, Dren Osmani, banues në Prishtinë. Policia njofton se 32-vjeçari ka vjedhur me dhunë një banesë në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë dhe një shumë parash më 15 Janar 2024. Forcat e rendit kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Reaction”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në një banesë në rrugën “Sami Frashëri”, një shtetas, kishte vjedhur me dhunë një shunë parash, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe si rezultat kanë vënë në pranga shtetasin: D. O., 32 vjeç, banues në Prishtinë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 15.01.2024, ka vjedhur me dhunë, në një banesë në rrugën “Sami Frashëri”, një shumë parash”, njofton policia.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raporton se dy ditë më parë, Dren Osmani, ka hyrë në një shtëpi në zonën e ish-Bllokut, e cila ishte marrë me qira nga 3 vajza nga Filipinet, të cilat jetojnë dhe punojnë në Tiranë. Ato ranë pre e dhunës dhe kërcënimeve të 32-vjeçarit në këmbim të sendeve me vlerë dhe parave.
Vajzat i kanë dhënë paratë, rreth 500 Euro dhe është larguar. Mësohet se të rejat kanë marrë lëndime nga dhuna e të riut, gërvishtje për shkak të goditjeve me grusht. Hetuesit dyshojnë se i riu ka pasur informacion për vajzat filipinase dhe ndërkohë i ka ndjekur derisa kanë hyrë në banesë.
Fillimisht vajzat kanë kundërshtuar, por për shkak të kërcënimeve kanë dhënë paratë dhe pasi është larguar kanë njoftuar policinë. Policia e ka lokalizuar autorin përmes targave të makinës dhe Osmani është arrestuar në Laç, në tentativë për t’u larguar në drejtim të Kosovës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./
Nga/tvklan.al