Lidhje


Anulohet “Marshi për Palestinën” në Prizren, mungesa e lejes nga Komuna sjell shtyrjen në afat të pacaktuar

Tubimi publik “Marshi për Palestinën”, i paraparë të mbahej në Prizren, të dielën me datë 20 prill 2025, është anuluar, respektivisht shtyrë për afat të pacaktuar. Organizatori i këtij tubimi, Albion Kryeziu përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se tubimi është anuluar për shkak se Drejtoria e Shërbimeve Publike ka refuzuar dhënien e pëlqimit të nevojshëm.

 

“Të dashur qytetarë, gjatë javës së kaluar kam bërë thirrje për një tubim qytetar më datën 20 prill 2025, për të realizuar një protestë paqësore kundër luftës në Palestinë. Në këtë kuadër, i jam drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren për të kërkuar lejen e nevojshme. Fatkeqësisht, kërkesa ime nuk është aprovuar me arsyetimin se një tubim i tillë mund të prishë qetësinë e rendit publik”, thuhet në njoftimin e Kryeziut, të publikuar në rrjetet sociale.

 

Ai ka theksuar se si pasojë e këtij zhvillimi tubimi i planifikuar është anuluar përkatësisht është shtyrë për një afat të pacaktuar.

 

“Duke respektuar rendin dhe ligjin e Republikës së Kosovës si dhe autoritetet e saj, ju njoftoj se tubimi i planifikuar anulohet. Protesta paqësore që ishte menduar të mbahet më datën 20 prill 2025 është shtyrë për një afat të pacaktuar, derisa të sigurohen lejet e kërkuara nga autoritetet lokale”, ka shpjeguar ai.

 

Në të njëjtën kohë ka shprehur keqardhje për këtë situatë dhe ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët si për mirëkuptimin ashtu edhe mbështetjen e vazhdueshme.

 

Në njoftimin e tij ai ka publikuar edhe përgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

 

“Vendimi për moslejimin e mbajtjes së tubimit publik në Sheshin “Shatërvan”, bazohet në këto arsye:

 

Sheshi Shatërvan dhe rrugët përreth përbëjnë zona me dendësi të lartë të qytetarëve dhe vizitorëve, veçanërisht gjatë fundjavës, si dhe janë pjesë e zonës së mbrojtur historike, gjë që e bën të pamundur menaxhimin efikas të një tubimi të këtij lloji pa ndikuar në rendin dhe sigurinë publike.

 

Tubimi i paralajmëruar për një pjesëmarrje deri në 10.000 qytetarë, si dhe përdorimi i automjetit me sistem zëri, paraqet rrezik real për qetësinë publike, sigurinë e pjesëmarrësve dhe komunitetit përreth.

 

Në këtë kontekst, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përkatësisht Ligji Nr. 08/L-166 për Tubimet Publike si dhe Ligjit nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk mund të jep Pëlqimin për zhvillimin e tubimit në vendodhjen e kërkuar”, thuhet në vendimin e DSHP-së.

 

Lidhur me këtë çështje ka reaguar kuvendari Ilir Gashi (LVV) duke theksuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prizrenit ka tejkaluar kompetencat e saj ligjore duke refuzuar kërkesën e organizatorit, Albion Kryeziu, për mbajtjen e një marshimi paqësor kundër luftës në Palestinë dhe në shenjë solidarizimi me viktimat e pafajshme të këtij konflikti.

 

“Ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm për të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë, të garantuar me Kushtetutë. Është shqetësuese që komuna, e qeverisur nga PDK, tregohet e gatshme të japë leje për aktivitete me ngjyrime partiake apo për ngjarje që i shërbejnë interesave të saj politike, ndërsa zë vendin e mohimit kur qytetarët organizojnë protesta në mbështetje të kauzave njerëzore dhe ndërkombëtare”, është shprehur Gashi.

 

Sipas tij ky standard i dyfishtë është i papranueshëm dhe cenon parimet demokratike që duhet të jenë themeli i çdo pushteti lokal. Po ashtu ka theksuar se e drejta për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive nuk mund të kufizohet në bazë të vlerësimeve politike apo interesave partiake.

 

“E dënoj fuqishëm këtë akt të paprecedent dhe kërkoj që Komuna e Prizrenit të rishqyrtojë vendimin e saj, të lejojë marshin paqësor dhe të mos ndalë zërin e qytetarëve që kërkojnë drejtësi dhe paqe”, ka theksuar Gashi.

 

Tubimit publik “Marshi për Palestinën”, i paraparë të mbahej me datën 20 prill 2025, duke filluar nga ora 14:10, ka qenë e planifikuar që të nis nga “Sheshi Shatërvan” me lëvizje nëpër rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit. /Telegrafi/

XS
SM
MD
LG