SPAK kërkoi arrestimin, Roven Zeka tentoi të arratisej dhe “theu” gjunjtë

SPAK lëshoi ditën e sotme tre urdhërarreste për zyrtarë të Policisë Rrugore të Tiranës, të dyshuar si të përfshirë në korrupsion. Mes tyre është dhe Roven Zeka, që mban postin më të rëndësishëm në Policinë Rrugore, pasi është Shefi i Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Në momentin që përfaqësuesit e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Agjentët e BKH-së shkuan për ta arrestuar, ai ka tentuar që të arratiset.
Fillimisht drejtori “këmbëshpejtë” është nisur me vrap, por gjatë tentativës është rrëzuar duke dëmtuar gjunjët. Në këtë moment agjentët e BKH-së e kanë arrestuar në flagrancë.
Urdhërarrest është lëshuar edhe për Sokol Novakun, që mban postin e shefit të Sektorit të Aksidenteve dhe për Edison Tabakun, Oficer i Policisë Gjyqësore.
Të gjithë të sipërpërmendurit janë të dyshuar si të përfshirë në korrupsion, pasi SPAK pretendon se janë konstatuar duke i marrë para një gruaje për të mbyllur një aksident.
Roven Zeka është një personazh i njohur në radhët e uniformave blu. Në vitin 2019 ai u vendos në qendër të kritikave pas publikimit të një fotoje, ku dukej teksa tërhiqte zvarrë një fëmijë që ishte varrur për kofanon e makinës së policisë për të kundërshtuar arrestimin e të atit, aq sa i theu dhe krahun./joq