Paralajmërimi i Trump: Rusia duhet të tërhiqet nga e gjithë Ukraina

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë ndërmjetësimin nëse palët nuk tregojnë përkushtim real ndaj paqes.
Ai shtoi se nuk do të lejojë që SHBA të shpenzojë pafundësisht burime për një luftë që nuk po ka vizion të qartë për paqe: “Po paguajmë tre herë më shumë se Evropa për një luftë që e kanë në oborrin e tyre. Ky është absurditet.”
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve të fundit është përqendruar në terrenet e pushtuara nga Rusia në lindje të Ukrainës. Trump u shpreh i prerë se Rusia duhet të tërhiqet: “Rusia duhet të largohet nga e gjithë Ukraina. Sepse ajo e dëshiron të gjithë Ukrainën. Nuk do vetëm pjesën që ka tani”.
Megjithatë, ai la të kuptohet se një zgjidhje politike mund të përfshijë hapa të ndërmjetëm për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
Trump e paraqiti veten si të vetmin udhëheqës botëror që mund të ushtrojë presion të vërtetë mbi Putinin. “Udhëheqësit evropianë më luten që ta telefonoj, sepse ai nuk u përgjigjet fare”, tha ai, duke shtuar: “Po të mos isha unë, Putini do ta kishte pushtuar të gjithë Ukrainën.”/euronews