Lidhje


Shkuan për ta grabitur, 3 shqiptarë vrasin noteren greke në Zakynthos

Policia greke ka zbardhur krimin makabër që tronditi opinionin publik në shkurt të këtij viti, ku një notere 69-vjeçare u gjet e vrarë pranë shtëpisë së saj në ishullin Zakynthos.

 

Pas një hetimi të gjatë nga Departamenti i Vrasjeve, policia arrestoi tre burra me origjinë shqiptare, një ndërtues 54-vjeçar, i cili është ai që planifikoi grabitjen dhe qëlloi me thikë viktimën, djalin e tij 21-vjeçar dhe një mik 50-vjeçar të babait nga Nemea.

 

“Çelësi” i hetimit ishte 50-vjeçati që jetonte në Nemea, i cili, pasi u mor në pyetje dhe u përball me provat, dyshohet se rrëfeu gjithë skenarin e natës fatale. Sipas deklaratës së tij, ai kishte mbërritur në Zakynthos një ditë më parë, pasi ishte koordinuar me mikun që jetonte në ishull dhe kishte informacion se viktima mbante para dhe sende me vlerë në shtëpi.

 

Ata qëndruan në një apartament me qira, që sipas dëshmive i përkiste vetë autorit të dyshuar të vrasjes, dhe të nesërmen, sipas planit të përgatitur, u veshën me maska, kapuçë dhe doreza. Ata ngritën një “barrikadë” për të pritur viktimën kur ajo po kthehej nga puna.

 

Sapo gruaja fatkeqe u kthye, ata u sulën mbi të dhe e kërcënuan me thikë. Ajo bërtiti, por askush nuk e dëgjoi, pasi zona është e shkretë. Pastaj e kapën dhe e shtrënguan fort. Gjatë përleshjes, 50-vjeçari nga Nemea mori çelësat nga çanta e saj dhe u përpoq të hapte derën, por, ndoshta për shkak të shqetësimit të tij, nuk mundi ta bënte. Në të njëjtën kohë, siç i tha policisë, ai u kthye prapa dhe pa 54-vjeçarin të binte me viktimën në tokë ku po ziheshin dhe papritmas pa gruan duke gjakosur shumë. Ishte momenti kur 54-vjeçari e goditi viktimën me thikë në kofshë dhe i goditi arterien femorale.

 

“Po e prisnim të kthehej... tentova të hapja derën, por pashë që ai (shoku) kishte rënë mbi të dhe ajo rridhte gjak. I thashë ‘Hajde të ikim’ dhe u larguam”, tha shqiptari në dëshminë e tij.

 

Pas krimit, ata u larguan në këmbë për rreth një orë, dogjën rrobat dhe hodhën thikën, përpara se të telefononin djalin për t’i marrë me makinë. Sipas raporteve policore, babai dhe shoku i tij ishin ata që hynë me fytyra të mbuluara në shtëpinë e viktimës, ndërsa djali shërbeu si bashkëpunëtor dhe transportues. Autori i dyshuar i goditjes fatale me thikë – që shkaktoi gjakderdhje të pakontrolluar në pjesën e brendshme të kofshës – është pikërisht babai, i cili deri më tani ka mohuar përfshirjen direkte, ndryshe nga dy të tjerët që kanë pranuar pjesëmarrjen.

 

Trupi i pajetë i gruas u gjet nga i biri mëngjesin e nesërm, në shkallët e shtëpisë pranë makinës së saj. Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se vdekja ishte rezultat i një plage të thellë me thikë, duke çuar në vdekje brenda pak minutash.

 

Hetimet vazhdojnë ndërkohë që të tre të arrestuarit përballen me akuza të rënda për vrasje me dashje dhe grabitje me pasojë vdekjen./joq

XS
SM
MD
LG