Koçiu e Shëndetësisë lë spitalin e Përrenjasit pa vaksinën e fruthit dhe meningjitit, fëmijët në rrezik

Prej më shumë se 3 muajsh, prindërit në bashkinë Përrenjas po përballen me mungesën e vaksinave të detyrueshme për fëmijët, përfshirë atë të fruthit, vaksina MMR dhe vaksinën kundër meningjitit vaksina Menc dhe MenACWY . Ndonëse autoritet shëndetësore iu bëjnë shpesh thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, realiteti në terren është krejt ndryshe. Qendrat shëndetësore nuk i disponojnë këto vaksina të nevojshme për fëmijët.
Një qytetar ka kontaktuar redaksinë dhe shprehet se prej tre muajsh nuk po arrin dot të vaksinojë vajzën që ka mbushur 1 vjeçe pasi spitali Përrenjas nuk e dispononin vaksinën e nevojshme. Në këto kushte kërkohet një ndërhyrje urgjente që spitali i Përrenjasit të furnizohet me vaksinat e nevojshme për fëmijët pasi kështu shmangen në kohë dhe rreziqet e mundshme për shëndetin publik.
“Pershendetje JOQ! Doja te ndaja nje shqetesim per shendetesine e bashkisë Përrenjas. Ka mbi 3 muaj qe na thonë nuk kemi vaksina per femijet (këto te 1 vjecarit” dhe vaksina e meningjitit. Ne tv dalin dhe bëjnë thirrje vaksinoni fëmijët qe mos përhapet sëmundja, ndërsa une kam 3 muaj qe pres ti bej vajzes vaksinen e fruthit dhe ato te tjerat. Sot prape me than nuk e di a do vijnë dhe mbas korrikut. Faleminderit”, shkruan qytetari./joq