Lidhje


Netanyahu për kandidatin për kryetar bashkie të Nju Jorkut: Kërcënimi për arrestim është qesharak

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë si “qesharak” kërcënimin e kandidatit demokrat për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili kishte deklaruar se do ta arrestonte Netanyahu-n nëse ai vizitonte qytetin.

 

“Nuk jam i shqetësuar për këtë. Ka mjaft çmenduri në botë, dhe duket se nuk ka fund,” tha Netanyahu. “Nuk është gjë serioze.”Ai shtoi se planifikon të vizitojë Nju Jorkun me presidentin Donald Trump dhe vuri në pikëpyetje se kush do të jetë kryetar bashkie në atë kohë: “Si e dini ju kush do të jetë kryetari? Unë nuk e di.”

 

Trump ndërhyri duke thënë: “Nuk e dimë ende kush do të jetë kryetari i ardhshëm,” dhe më pas shtoi me ironi: “Ai do të sillet mirë. Duhet të sillet mirë. Përndryshe do të ketë probleme të mëdha.”

 

Zohran Mamdani fitoi muajin e kaluar zgjedhjet paraprake demokrate për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut, duke marrë 56% të votave kundrejt ish-guvernatorit Andrew Cuomo, i cili aktualisht është pjesë e ekipit ligjor të Netanyahu-t në përballjen me akuzat për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

 

Mamdani pritet të përballet në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, ku kandidatët demokratë zakonisht kanë përparësi të madhe në qytetin e Nju Jorkut. /mesazhi

XS
SM
MD
LG