Lidhje


Parlamenti Europian ultimatum qeverisë shqiptare: Hiqni dorë nga HEC-i Skavica, dëmton lumin Drin

Parlamenti Europian miratoi me shumicë votash raportin për Shqipërinë për vitet 2023/2024, ku në pikën 58 kërkohet qartë që qeveria shqiptare të heqë dorë nga projekti i hidrocentralit të Skavicës. Ky apel bazohet në ndikimet e rënda ekologjike, sociale dhe kulturore që ky projekt do të ketë, përfshirë zhvendosjen e komuniteteve vendase dhe dëmtimin e habitatit të rrëqebullit të Ballkanit, një specie e rrezikuar.

 

Shoqata “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës” e cilëson këtë një moment kyç për t’i dhënë fund një projekti të dëmshëm dhe të pazbatueshëm, që është kritikuar prej vitesh nga komuniteti lokal, organizatat mjedisore dhe vetë institucionet europiane. Ajo i bën thirrje qeverisë shqiptare të mos e zvarrisë më këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar për mbylljen e projektit, duke iu referuar edhe faktit që vetë analizat financiare nuk e konsiderojnë projektin si të realizueshëm pa rreziqe të mëdha për vendin.

 

Në vend të investimeve të pasigurta dhe të kontestuara, Shoqata nxit qeverinë të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, siç është agro-turizmi dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Dibrës. Ajo u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë të vendosur në mbrojtje të tokës së tyre dhe të mos lejojnë që projekte të tilla të vendosin në rrezik të ardhmen e rajonit.

XS
SM
MD
LG