Lidhje


“Protothema”: Skandal! Ministria e Mbrojtjes zhduk gazetën me “Shqipërinë e madhe”

Gazeta e njohur greke "Protothema” i ka kushtuar vëmendje publikimit të hartës së “Shqipërisë së madhe” nga gazeta “Ushtria” që është një organ zyrtar i ministrisë shqiptare të Mbrojtjes. Sipas gazetës greke gjithçka ka ndodhur në numrin e botuar në 18 korrik në faqen 12 të gazetës.

 

Në atë botim ka pasur një shkrim për Kongresin e Berlinit të vitit 1878-ës dhe ku u rrudhën kufijtë e vendit tonë. Por për median greke kjo është “një hartë e madhe dhe të shëmtuar e Shqipërisë së Madhe që përfshin të gjithë Epirin, deri në Prevezë dhe Arta, prefekturat e Kosturit, Follorinës dhe Grevenës, disa pjesë të tjera të Maqedonisë Perëndimore dhe Korfuzin”. Më e rënda sipas saj është që kjo botohet në organin zyrtar të një ministrie. 

 

“Si i dokumenton Shqipëria të gjitha këto? Duke iu referuar Kongresit të Berlinit (1878), ku, sipas botimit, Shqipëria u copëtua! Cila Shqipëri e vitit 1878? As vetëdija kombëtare shqiptare, as ideja e krijimit të një shteti shqiptar, as diçka e lidhur me këtë nuk ekzistonte në atë kohë. Shqiptarët kishin kërkuar të bashkoheshin me Greqinë që nga vitet e Ottos. Përshtatshmëritë dhe lojërat e ndyra të Italisë dhe Austrisë krijuan shtetin artificial në kufijtë tanë veriperëndimorë” – shkruan “Protothema”.

 

Ajo që i ka rënë në sy “Protothema” është se gazeta “Ushtria” ka shpesh qëndrime anti-greke dhe u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve të ushtrisë shqiptare me atë turke. Sipas gazetës, në një numër tjetër “Ushtria” kishte shkruar për “gjenocidin grek kundër çamëve myslimanë”.

 

Ministria e Mbrojtjes zhduk revistën

 

Përpara “Protothema” kishte pasur një numër portalesh më të vogla greke që kishin ngritur zërin për hartën e “Shqipërisë së Madhe” në gazetën “Ushtria”. Mesa duket kjo u ka rënë në sy zyrtarëve të ministrisë së mbrojtjes që kanë nxituar ta zhdukin numrin e datës 18 korrik. Nga një kërkim i lapsi.al në faqen online të ministrisë së Mbrojtjes ky numër nuk gjendet.

 

Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur vetë ministri i Mbrojtjes Piro Vëngu që ka edhe pasaportë greke. Në vitet 2013 – 2017 kur mbante detyrën e shefit të kabinetit në Ministrinë e Jashtme gjatë qeverisjes “Rama 1”, Vengut i erdhi ftesë nga shteti fqinj për të kryer shërbimin ushtarak, ftesë të cilën ai e refuzoi. 

XS
SM
MD
LG