Historia tragjike e vajzës nga Kavaja që vdiq nga zemra 18 vjeç - Nga humbja e jetës së motrës së vogël tek puna në market për të ndihmuar familjen
Nuk ishte aspak e lehtë për ata që e njohën, t’i thonin lamtumirë Lorenës, gjimnazistes nga Kavaja që u nda nga jeta pas një ataku kardiak, kur kishte nisur të ëndërronte dhe të ndërtonte jetën e saj, larg dhembjes, periferisë dhe më pranë ndriçimit të qendrës së qytetit. Ataku kardiak i mori jetën ndërsa po i gëzohej fejesës që kishte kurorëzuar së fundmi me djalin që donte. Nuk e kishte mbyllur ende plagën që i kishte hapur vdekja e parakohshme e motrës më të vogël dhe as çrregullimin kardiak që i rrinte mbi kokë, por jeta po i buzëqeshte. Deri mëngjesin fatal të 25 janarit kur zemra e saj pësoi goditjen fatale, duke hapur një plagë të re në familjen Bërdufi.
Pas vdekjes së të motrës, Lorena kishte nisur të ndërtonte ëndrra, shpresa për ta ndryshuar fatin e saj. Për shkak të kontrolleve dhe trajtimeve mjekësore në Hollandë e kishte humbur një vit shkollën, por i ishte kthyer sërish dhe këtë vit ishte maturante në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” të Kavajës.
Pas mësimit punonte në një market për të ndihmuar familjen. Përpiqej të ndiqte dhe këshillat e mjekëve. Nuk duhej t’i nënshtrohej emocioneve të forta, por jeta është e mbushur me to.
Pavarësisht kushteve ekonomike, prindërit kishin bërë të pamundurën për të trajtuar vajzat e tyre duke i dërguar edhe jashtë vendit për t’u konsultuar me mjekë, por vdekja erdhi e ftohtë duke e goditur 2 herë në më pak se tre vjet familjen dhe lënë pas pikëllim.
Ëndrrat e saj u prenë në mes papritur, duke lënë pas një histori të trishtë. Historinë e Lorenës që ngeci në kufijtë mes fëmijërisë së kaluar në ish-ambientet e fabrikës së letrës në Kavajë të përshtatur në banesë dhe fillimit të një jete të re, mes dritash e dëshirës për të shkëlqyer mbi pasarela me elegancën e saj.
Ngeci mes ëndrrash për të na kujtuar të gjithëve se jeta është e bukur, po aq sa e trishtë, është e shkurtër dhe në një marrje fryme mund të mos jetë më.
Nga gazeta Tema