Të braktisesh pas 35 vitesh shërbim-"Ai ishte njeri i mirë" / Historia e trishtë e policit që u vetvra
Oficeri i policisë Arben Pjeçi u përcoll para disa ditesh për në banesën e fundit në Durrës. Ai u vetëvra në kushtet e depresionit pas një vendimi penal me 40 orë punë në komunitet, vendim që dje çoi në lirimin e tij nga detyra, pas një karriere 35-vjeçare në polici. Fqinjët e tij kanë deklaruar për Top Channel, se Pjeçi ishte një njeri i mirë dhe kishte një karrierë 35-vjeçare në polici dhe nuk e meritonte këtë fund. Sipas njërit prej komshinjve, vendimi i gjykatës ishte “jo i drejtë” sepse ishte vetëm një konflikt momenti për një vend parkimi.
“Ka qenë i mirë, por motivin nuk e dimë. Për ne ka qenë shumë i mirë. Ka 35 vite që punon në polici”.
“Ne jemi komshinj për shumë vite. Ka qenë një njeri shumë i mirë. Nuk kemi qenë në dijeni për konfliktin që ka pasur me fqinjin”.
“Ishte një njeri i mirë, korrekt. Vendimi i gjykatës nuk ishte shumë i drejtë, 35-vite për një konflikt. Ata mund të merreshin vesh me njëri-tjetrin, ata nuk u vranë e u prenë, moment ka qenë, punë parkimi. Unë kisha bërë muhabet me të, nuk e përballoi dot. 35 vite punë për çfarë? Ai nuk abuzoi, nuk u korruptua”, ishin disa nga deklaratat e fqinjëve.
Kujtojme se Specialisti i Policisë Kriminale, Arben Pjeçi i vetëvrarë në ambientet e policisë së Durrësit është dënuar nga Gjykata për plagosje të lehtë me dashje lidhur me një sherr në vitin 2022 me komshiun e tij Kujtim Huqi, ish shofer në polici. Për shkak se Pjeçit i pikonte ballkoni në tendën e Huqit, të dy janë zënë me grushta e shkelma.
Denoncimin në polici e ka bërë komshiu i tij, por efektivi i ndjerë ka deklaruar se vetëm e ka shtyrë Huqin por nuk e ka goditur. Megjithatë Gjykata i ka konsideruar fajtorë të dy për plagosje të lehtë. Por dënimi me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, solli pezullimin e Pjeçi nga detyra dhe më pas vetëvrasjen e oficerit në kushtet e depresionit.
AI ishte njeri i mirë- thanë njëzëri fqinjët. Thuhet se nëse fqinjët dëshmojnë njëzëri se ti je njeri i mirë, atëherë ti me të vërtetë je i tillë edhe tek Zoti. E nëse dëshmojnë të kundërtën atëhere ti je sic thonë. Kjo sepse njerëzit janë dëshmimtarët më të rëndësishëm të aktivitetit jetësor të njëri tjetrit. Ndaj askush nuk mundet të hidhet poshtë për një gabim të vogël karshi mirësisë më të madhe, askush nuk duhet të hidhet poshtë kaq lehtë as një kontributi 35 vjecar.
Nga Top channel