Lidhje


Shefja e diplomacisë së BE kritikon paraardhësin: Borrell s’arriti asgjë me I.zraelin

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se paraardhësi i saj, Josep Borrell, “nuk arriti asgjë” në marrëdhëniet me Izraelin, ndërsa mbrojti qasjen e saj pas muajsh kritikash mbi reagimin e BE-së ndaj luftës në Rripin e Gazës.

 

“Arrita më shumë me Izraelin sesa paraardhësi im ndonjëherë. Me Borrellin nuk pati asgjë. Ne arritëm të dërgonim ndihmë humanitare në Gaza”, tha Kallas për disa media spanjolle, mes tyre edhe “El País”.

Ajo shtoi se do të kishte dashur të shkonte më tej, por mungesa e konsensusit mes shteteve anëtare ka kufizuar veprimet e ekzekutivit të BE-së. “Mund të përdorësh gjuhë të ashpër, por pastaj Izraeli ndalon së foluri me BE-në, siç ndodhi me paraardhësin tim. Çfarë fitojmë me fjalë të forta, nëse shtetet nuk i miratojnë propozimet?”, u shpreh Kallas.

 

Deklaratat e saj erdhën pak orë përpara se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të bënte thirrje për pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, që mbështet rreth 30 miliardë euro tregti vjetore, për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut.

 

Ndërkohë, Borrell ka qenë një nga kritikët më të fortë të qasjes së BE-së ndaj konfliktit. Ai ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po përpiqet të “eliminojë fizikisht një popull” dhe i ka kërkuar BE-së të izolojë ndërkombëtarisht Izraelin, ashtu siç u bë me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.

 

Nga ana tjetër, Kallas theksoi se misioni i saj është të kapërcejë përçarjet mes 27 vendeve anëtare. “Unë përfaqësoj shtete që janë shumë të ashpra ndaj Netanyahut, por edhe të tjera me një qasje krejt ndryshe. Përshtypja ime është se duhet t’i bësh presion Izraelit, por gjithmonë me konsensus. Ajo që ka rëndësi është shpëtimi i jetëve, jo fjalët”, tha ajo.

 

Shefja e diplomacisë evropiane paralajmëroi gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjasë të paktën edhe dy vjet, duke përmendur sulmet e fundit me dronë të Moskës në Poloni si dëshmi të rritjes së agresivitetit rus./euronews

XS
SM
MD
LG