Lidhje


Drejtori i spitalit në Gaza përballet me tragjedinë në mes të detyrës, pranon trupat e familjarëve të vrarë në sulmin ajror

Dr. Mohammed Abu Salmiya, drejtor i Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, është përballur me një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij profesionale dhe personale, kur gjatë një ndërrimi pune u njoftua për vdekjen e gjashtë anëtarëve të familjes së tij, pas një sulmi ajror izraelit.

 

Sipas raportimeve të CNN, sulmi goditi shtëpinë e familjes së Abu Salmiya në kampin e refugjatëve Al-Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, ku jetonin disa breza së bashku. Midis viktimave ishin vëllai i tij, dy djemtë e vëllait, gruaja e nipit dhe dy fëmijët e tyre të vegjël.

 

“Kjo është shtëpia e familjes ku jetojmë. Vëllai im, dy nga djemtë e vëllait tim, gruaja e nipit tim dhe dy nga fëmijët e tyre u martirizuan,” u shpreh Abu Salmiya.
Përveç viktimave, shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur në të njëjtin sulm, përfshirë motrën e mjekut, mbesën dhe disa nipër.

 

Kjo ngjarje tronditëse ndodhi ndërkohë që situata në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rëndë, me intensifikimin e operacioneve ushtarake izraelite në qytetin e Gazës dhe rrethinat e tij. Izraeli ka deklaruar se zona mbetet një bastion i Hamasit, ndërsa ndërtesa të shumta janë shembur dhe dhjetëra mijëra civilë janë zhvendosur nga zonat e rrezikut.

 

Ngjarja e rëndë në familjen e drejtorit të spitalit Al-Shifa vjen në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po shpreh shqetësim të madh për përshkallëzimin e konfliktit dhe ndikimin e tij shkatërrues mbi civilët./tpz

XS
SM
MD
LG