"Ushtria" e Padukshme e Influencerëve/ Si I.zraeli bën propagandë me 7 Mijë dollarë për post

Në shekullin XXI, frontet e luftës nuk janë vetëm në terren. Ato zhvillohen në ekranet e telefonave, në feed-et e rrjeteve sociale, ku perceptimi i publikut shpesh është më vendimtar se një fitore ushtarake. Dhe sipas dokumenteve të fundit të publikuara në Shtetet e Bashkuara, Izraeli duket se ka ndërtuar një ushtri të padukshme influencerësh për të fituar këtë betejë.
Një raport i Responsible Statecraft (30 shtator 2025) zbuloi se qeveria izraelite ka shpenzuar rreth 900 mijë dollarë për një fushatë të koduar “Esther Project”, e kontraktuar përmes firmës Bridges Partners. Dokumentet e paraqitura në kuadër të ligjit amerikan FARA (Foreign Agents Registration Act) tregojnë se një grup prej 14–18 influencerësh janë paguar të shpërndajnë mesazhe pro-izraelite në platformat sociale. Shifrat janë mbresëlënëse: midis 6,100 dhe 7,300 dollarë për çdo postim (Responsible Statecraft, 2025; Jerusalem Post, 2025).
Në thelb, kjo nuk është thjesht një strategji marketingu politik. Është një formë e sofistikuar propagande digjitale, ku shteti nuk shfaqet drejtpërdrejt me deklarata zyrtare, por përmes zërave privatë që kanë besueshmëri te publiku i ri. Influencerët, me pamje të kuruar dhe jetë tërheqëse, shndërrohen në një lloj “korporate propagandistike” që paketojnë mesazhe politike në formën e reels-ave, meme-ve apo vlogeve të përditshme.
Ky mekanizëm e bën mesazhin më të pranueshëm, ndjekësit nuk shohin një ambasador duke folur, por një “mik virtual” që shpërndan mendime dhe emocione. Dhe ndërkohë që mediat kryesore raportojnë pamje të viktimave civile në Gaza, ushtria e influencerëve prodhon një kundër-narrativë të gatshme për t’u konsumuar, të shpërndarë në mënyrë virale.
Fenomeni nuk është i paprecedentë. Rusia, Kina apo edhe Shtetet e Bashkuara kanë përdorur metoda të ngjashme, por rasti i Izraelit nxjerr në pah një dimension të ri, standardizimin e çmimit të narrativës. Kur çdo opinion kushton rreth 7 mijë dollarë, fjala shndërrohet në mall dhe realiteti bëhet një produkt i tregut global të perceptimeve.
Dhe çfarë do të thotë kjo për shoqëritë demokratike, ku opinioni publik formëson politikat e jashtme?
Në fund, “Esther Project” nuk është vetëm një fushatë PR. Është një shembull i qartë se si propaganda në epokën digjitale nuk ka më nevojë për zëdhënës zyrtarë. Ajo ka nevojë për influencerë dhe sipas dokumenteve të publikuara, Izraeli ka kuptuar se kjo betejë e së vërtetës kushton shtrenjtë, rreth 7 mijë dollarë për postim.