Lidhje


Banorët e rindërtimit ngrejnë alarmin: “Nëse përfituesi ndërron jetë, shtëpia nuk u kalon fëmijëve”

Disa banorë të zonës së Kombinatit, përfitues të programit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, kanë ngritur një shqetësim të madh lidhur me mënyrën e trajtimit të rasteve kur përfituesi i banesës ndërron jetë përpara dorëzimit të saj.

 

Sipas tyre, një rregullore e brendshme parashikon që në rast vdekjeje të aplikantit përfitues, banesa e re nuk u kalon trashëgimtarëve, pra, fëmijëve apo familjarëve të tij. Banorët e quajnë këtë një padrejtësi të rëndë, pasi shtëpitë e tyre janë shembur nga Bashkia për shkak të dëmtimeve të rënda nga tërmeti, dhe ishte nënshkruar marrëveshje që ato të zëvendësoheshin me banesa të reja për çdo familje të prekur.

 

Një prej banorëve të prekur tregon se babai i saj është përfituesi zyrtar në dokumentacion, por aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën.

 

“Nëse ai ndërron jetë, rrezikojmë të mbetemi pa shtëpi, vetëm sepse ne, fëmijët e tij, jemi të martuar dhe figurojmë në certifikata familjare të ndara. Kjo është e padrejtë dhe e jashtë çdo logjike ligjore,” thotë vajza e tij.

 

Ajo i bën thirrje Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe programit të Rindërtimit për ndërhyrje të menjëhershme që të sqarojnë urgjentisht situatën dhe të përcaktojnë me qartësi çfarë ndodh me banesat kur përfituesi vdes përpara dorëzimit.

 

Sipas tyre, është absurde që një familje të humbasë të drejtën e strehimit vetëm për shkak të një procedure administrative.

 

Banorët kërkojnë që ligji për rindërtimin të interpretohet në mënyrë njerëzore dhe të drejtë, duke garantuar që trashëgimtarët ligjorë të përfitojnë strehimin që u takon.

 

Denoncimi i qytetares:

 

Thirrje për zgjidhje urgjente

Ne, disa banorë të zonës së Kombinatit dhe përfitues të banesave të rindërtimit pas prishjes së shtëpive nga termeti, po përballemi me një problem shumë serioz. Sipas një rregulloreje të brendshme, nëse aplikanti përfitues i banesës së re ndërron jetë, shtëpia nuk i kalon fëmijëve të tij.

Kjo është një padrejtësi e madhe. Shtëpia që i takonte babait tim u prish nga Bashkia për shkak të dëmtimeve nga termeti, dhe ishte marrëveshje që për këtë do të kompensohemi me banesa të rindërtimit. Tani babai im është në gjendje kritike për jetën, dhe rreziku është që familja jonë të mbetet pa shtëpi, vetëm sepse babai ishte i vetem në certifikatën familjare, duke qënë se ne fëmijët e tij jemi të martuar.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente dhe të përcaktojnë qartë si do të veprohet në raste të tilla. Si mund të humbasi prona, vetëm sepse aplikanti ndërron jetë?! Kjo është totalisht e jashtë ligjshme./joq

XS
SM
MD
LG