Lidhje


“Vizitë historike”, Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa mbërrin në SHBA

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka mbërritur të shtunën në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare historike, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Damaskut. Vizita vjen një ditë pasi Uashingtoni e hoqi Sharaa-n nga lista e zezë e terrorizmit.

 

Udhëheqësi sirian, forcat e të cilit rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, pritet të takohet të hënën me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas analistëve, kjo është vizita e parë e një presidenti sirian në SHBA që nga shpallja e pavarësisë së vendit në vitin 1946. Më herët, Sharaa ishte takuar me Trumpin në Riad, gjatë turneut rajonal të presidentit amerikan në maj.

 

I dërguari i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, ka deklaruar më parë se Sharaa “shpresohet” të nënshkruajë një marrëveshje për t’u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër grupit terrorist Shteti Islamik (IS).

 

Një burim diplomatik në Damask i tha AFP-së se SHBA planifikon të krijojë një bazë ushtarake pranë kryeqytetit sirian “për të koordinuar ndihmën humanitare dhe për të vëzhguar zhvillimet midis Sirisë dhe Izraelit”.

 

Vendimi i Departamentit të Shtetit për të hequr Sharaa-n nga lista e zezë të premten ishte mirëpritur gjerësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG