Lidhje


Osmani për rrëmbimin e qytetarit kosovar: Edhe sikur të ishte në territorin e Serbisë, do të ishte provokim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se rrëmbimi i shtetasit të Kosovës nga xhandarmëria serbe është një krim, një provokim i rëndë dhe tentim vrasje nga institucionet shtetërore të Serbisë.

 

Presidentja Osmani e pyetur nga gazetarët për rastin në fjalë, tha se edhe sikur rrëmbimi i shtetasit kosovar nga autoritetet serbe të ndodhte brenda territorit të Serbisë "përsëri do të ishte provokim i rëndë për paqen dhe stabilitetin në vendin tonë".

 

Ajo tha se po presin ende konkluzionin final për rastin, por sipas institucioneve të Kosovës ka unanimitet se plagosja dhe rrëmbimi i qytetarit serb të Kosovës ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.

 

"Përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur, kjo prapë se prapë është krim, provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës. Edhe sikur kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht", tha Osmani.

 

Ajo tha se po ashtu se Përfaqësuesi i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin mirëpo nuk është lejuar.

 

Osmani tha se kanë informacione se ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

 

Më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës pranoi një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M.V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka konsideruar se qytetari i rrëmbyer nga ana e xhandarmerisë serbe brenda territorit të Kosovës, u rrëmbye nga shteti i Serbisë "vetëm pse ka qenë kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq"./AA

XS
SM
MD
LG