Lidhje


Mes krizës SHBA–Venezuelë, Erdogan telefonon Maduron: a po hapet dritë jeshile për qetësimin e situatës?

Në një moment kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës janë në pikën më kritike, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nikolas Maduro, duke i bërë thirrje palëve që të mbajnë kanalet e komunikimit të hapura dhe të punojnë për uljen e menjëhershme të tensioneve.

 

Gjatë bisedës së tyre, Erdogan dhe Maduro diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale. Presidenti turk është cituar të ketë thënë se Turqia po i ndjek “nga afër” zhvillimet dhe beson se çdo problem mund të zgjidhet përmes dialogut, gjë që ai e thekson në çdo platformë ndërkombëtare.

 

“Paqe dhe siguri në Karaibe”

 

Sipas Ministrisë së Jashtme të Venezuelës, Erdogan ka shprehur “shqetësim të thellë për kërcënimet që po përballet Venezuela, veçanërisht për dislokimet ushtarake dhe veprimet që synojnë të cenojnë paqen dhe sigurinë në Karaibe”. Në të njëjtat burime thuhet se Maduro i ka shpjeguar homologut turk “naty­rën e paligjshme, të tepruar dhe të panevojshme” të këtyre kërcënimeve.

 

Turqia dhe Venezuela ruajnë marrëdhënie të forta politike dhe ekonomike. Erdogan e vizitoi Karakas-in për herë të fundit në dhjetor 2018, ku ofroi hapur mbështetje për rizgjedhjen e Maduros, pavarësisht akuzave për manipulim zgjedhor. Mediat ndërkombëtare kanë spekuluar kohët e fundit se, për shkak të krizës me SHBA-të, Maduro mund të kërkonte strehim politik në Turqi.

 

Dy liderët njihen për lidhjet e ngushta personale që prej vitit 2016, kur Erdogan e mbështeti publikisht Maduros në një tjetër proces zgjedhor. Presidenti venezuelian ka vizituar shpesh Turqinë dhe mori pjesë në ceremoninë e tretë të betimit të Erdoganit, të cilin e quan “vëlla”. Ndërkohë, qytetarët venezuelianë mund të udhëtojnë në Turqi pa viza, gjë që reflekton lidhjet e ngushta diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve./panorama

 
 
XS
SM
MD
LG