Vdes imami pas 215 ditësh në paraburgim të emigracionit (ICE) në SHBA, pa dalë ende para gjykatës
Imami Fouad Saeed Abdulkadir ka ndërruar jetë pasi kaloi 215 ditë në paraburgim në një qendër të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), ndërsa priste ende një seancë gjyqësore për statusin e tij ligjor.
Abdulkadir, i lindur më 15 mars 1979 në Riad, Arabinë Saudite, me shtetësi eritriane, u shpall i vdekur në orën 03:21 të mëngjesit të 14 dhjetorit, në Moshannon Valley Processing Center, në shtetin e Pennsylvania.
Sipas raportimeve zyrtare, ai kishte shfaqur dhimbje të forta në gjoks gjatë qëndrimit në paraburgim. Stafi mjekësor i qendrës ka tentuar t’i japë ndihmën e parë dhe ka kryer reanimacion (CPR), por pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall i vdekur nga shërbimet emergjente.
Vdekja e imam Abdulkadirit ka rindezur debatin mbi paraburgimet e zgjatura pa vendim gjykate, si dhe mbi kushtet dhe kujdesin mjekësor në qendrat e ICE. Organizata për të drejtat e njeriut dhe avokatë të emigracionit kanë paralajmëruar prej vitesh se këto qendra shpesh dështojnë në ofrimin e trajtimit shëndetësor adekuat, veçanërisht për personat që mbahen për muaj të tërë pa zgjidhje ligjore.
Rasti i Abdulkadirit pritet të shtojë presionin publik dhe institucional ndaj autoriteteve amerikane për transparencë, përgjegjësi dhe reformë në sistemin e paraburgimit të emigrantëve.