Bllokohet sërish aksi Kakavijë–Janinë për shkak të protestës së fermerëve grekë
Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë sërish i bllokuar të shtunën e 3 janarit, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq për shkak të protestës që pritet të zhvillojnë fermerët grekë. Bllokimi i rrugës pritet të krijojë vështirësi në qarkullimin e mjeteve drejt dhe nga pika kufitare e Kakavijës.
Policia Kufitare e Kakavijës bën me dije se, nëpërmjet Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit Kakavijë, është njoftuar nga autoritetet greke se protesta do të zhvillohet më datë 3 janar 2026, nga ora 19:00 deri në 22:00, sipas orës lokale greke. Gjatë këtij orari, qarkullimi i mjeteve në këtë aks rrugor do të ndalohet plotësisht.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bllokimit do të lejohen të kalojnë “vetëm automjetet që kanë emergjenca shëndetësore”.
Policia Kufitare Kakavijë u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre në orare të tjera të ditës, për të shmangur vonesat dhe problematikat në qarkullim./tvklan.al