AAPSK vendos në përdorim nga QSUT dhe spitalet rajonale publike pajisjet e sekuestruara në një spital privat
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) e ka nisur vitin 2026 me vijimin e një praktike tashmë të konsoliduar në veprimtarinë e saj: vënien e pasurive të sekuestruara në funksion të interesit publik, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.
Në këtë kuadër, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, zhvilloi një vizitë pune në një spital privat, i cili ndodhet në proces hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe mbi pasurinë e të cilit është vendosur masë sekuestroje preventive.
Me miratimin e prokurorit të çështjes, AAPSK ka ndërmarrë veprimet për identifikimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore që ndodhen në këtë objekt, duke i vënë ato në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për t’u shpërndarë më tej në qendrat spitalore përkatëse. Pajisjet mjekësore do të vihen në përdorim nga QSUT dhe disa nga spitalet rajonale sipas nevojave përkatëse.
Gjatë vizitës, Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja u shpreh:
“E nisim vitin 2026 me një praktikë pune të bërë tashmërutinë për agjencinë tonë, vënien e pasurive të konfiskuara në funksion të institucioneve shtetërore dhe jo vetëm, por edhe të shoqërisë civile. Në rastin konkret flasim për një institucion shtetëror. Këtu jemi në një spital privat, që është në proces hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe kemi një masë sekuestroje preventive për pasurinë. Me miratimin e prokurorit kemi ardhur sot që të bëjmë shpërndarjen e pajisjeve që ndodhen në spital, duke ia vënë në përdorim Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u shpërndarë në qendrat spitalore.”
Ky veprim synon të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe në forcimin e kapaciteteve të sistemit publik, duke garantuar përdorimin efikas dhe të dobishëm të pasurive të sekuestruara në dobi të qytetarëve.
AAPSK mbetet e angazhuar në administrimin e përgjegjshëm, ligjor dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke i shndërruar ato në instrumente konkrete në shërbim të interesit publik./ekofin.al