Kushtoi 128 mln lekë, shembet unaza e Burrelit që u inagurua 6 muaj më parë
Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit është sot jashtë funksionit, duke lënë banorët që jetojnë përgjatë saj të bllokuar dhe të ekspozuar ndaj rrezikut. Rruga ka pësuar katër shembje, dy prej të cilave kanë shkatërruar të gjithë karrexhatën, ndërsa situata është më dramatike në anën perëndimore, ku të paktën në dy vende e gjithë traseja është dëmtuar rëndë. Për pasojë, asnjë automjet nuk mund të qarkullojë, duke izoluar banorët nga shtëpitë e tyre dhe duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Kjo problematikë nuk është e re. Që nga viti 2010, rruga ka qenë pothuajse e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë, duke treguar se çdo ndërhyrje e bërë deri tani nuk ka adresuar rrënjësisht problemet.
Rikonstruksioni i Unazës së Poshtme, financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 128 milion lekë të reja dhe i nisur një vit më parë, duket se ka qenë një projekt i dështuar. Punimet nga kompania “ULZA” sh.p.k, me pronar Ndue Shpani, përfunduan para gjashtë muajve, por rruga nuk u vendos në funksion të plotë për shkak të nisjes së dëmtimit nga reshjet në tetor 2025.
Banorët e Burrelit mbeten peng i një infrastrukture të pafuqishme dhe të shtrenjtë, ndërsa paratë e tatimpaguesve duket se shkojnë dëm për projekte që nuk përmbushin funksionin e tyre minimal. Pyetja që lind është e qartë: kush do të mbajë përgjegjësi për këtë katastrofë të paralajmëruar?/joq