Lidhje


Egjipti thirrje për tërheqjen e I.zraelit nga Gaza dhe rihapjen e pikës kufitare Rafah

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, bëri thirrje për tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës dhe rihapjen e pikës kufitare Rafah në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të vitit të kaluar.

 

Thirrja u bë gjatë takimit të Abdelattyt në Kajro me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.

 

Të dy diplomatët shqyrtuan mënyrat për forcimin e partneritetit strategjik mes Egjiptit dhe SHBA-së, si dhe mjetet për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat politike dhe ekonomike, njoftoi Ministria e Jashtme egjiptiane në një deklaratë.

 

Diskutimet u përqendruan gjithashtu te zhvillimet në Gaza, Sudan, rajonin e Bririt të Afrikës dhe siguria ujore e Egjiptit.

 

Abdelatty mirëpriti anëtarësimin e Egjiptit në “Bordin e Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump.

 

Sipas kartës së tij, ky bord është një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, si dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

 

Abdelatty theksoi rëndësinë e zbatimit të detyrimeve të fazës së dytë të planit të Trumpit për Gazën, mbështetjen e një komiteti kombëtar të ngarkuar me administrimin e Gazës dhe vendosjen e shpejtë të një force ndërkombëtare stabilizuese për të monitoruar armëpushimin.

 

Ai theksoi gjithashtu nevojën për rihapjen e pikës kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit në të dy drejtimet dhe arritjen e tërheqjes së Izraelit nga Gaza, për t’i hapur rrugë rimëkëmbjes së hershme dhe rindërtimit, thuhet në deklaratë.

 

Të dielën, Radioja e Ushtrisë Izraelite raportoi se Washingtoni ka arritur një mirëkuptim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me rihapjen e pikës kufitare Rafah, një rrugë jetike për dërgimin e ndihmave në Gaza.

 

Faqja izraelite e lajmeve “Walla” tha se pika kufitare pritet të hapet më vonë gjatë kësaj jave.

 

Plani i armëpushimit i dha fund luftës dyvjeçare të Izraelit në Gaza, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë më shumë se 71.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.000 të tjerë./AA

XS
SM
MD
LG