Gazetari kroat publikoi dokumentin e ri për pjesëmarrjen e Vuçiçit në vr.asjen e civilëve në Sarajevë
Gazetari kroat, Domagoj Margetiq ka publikuar një dokument të ri që dëshmon pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në “Sarajevo Safari” – vrasjen e civilëve të pafajshëm në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës.
Publikimi i dokumentit vjen pasi Vuçiq, disa ditë më parë, gjatë një paraqitjeje në FTV, në lidhje me “Sarajevo Safari”, deklaroi se “e dini që po gënjeni”. “Nuk ka mënyrë më të mirë dhe më profesionale gazetareske për t’iu përgjigjur fyerjeve të Vuçiqit sesa publikimi i edhe një dokumenti tjetër që dëshmon pjesëmarrjen e tij në safari njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës. Duke qenë se në intervistën për Federal TV më akuzoi edhe një herë se po gënjej, gjë që u transmetua nga të gjitha mediat në rajon, asgjë nuk e dëshmon më mirë se ky dokument se gënjen pikërisht Vuçiqi”, tha Margetiq.
Siç thekson ai, dokumenti i “Njësisë çetnike të Novo Sarajevës” me numër 72-08/92, i datës 23.08.1992, i nënshkruar nga komandanti i njësisë Slavko Aleksiq, dëshmon disa fakte të rëndësishme dhe hap disa pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme në rastin e safarive njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës.
“Aleksandar Vuçiq edhe në intervistën e fundit propagandistike për Federal TV ka pretenduar se kurrë nuk ka mbajtur pushkë mbi Sarajevë dhe se nuk ka qëlluar. Ky dokument dëshmon se Aleksandar Vuçiq po gënjen. Me urdhrin nr. 72-08/92, komandanti Slavko Aleksiq i ka urdhëruar logjistikës së Njësisë që Vuçiqit t’i vihet në përdorim një pushkë, konkretisht ‘Zastava M59/66’, e njohur gjerësisht si ‘papovka’. Kushdo që ka pasur ndonjë lidhje me ushtrinë ose ka shërbyer në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA), është plotësisht i vetëdijshëm se në atë incizim video mbi Sarajevë, Vuçiqi mban pikërisht atë model pushke”, deklaroi ai.
Ai shtoi se në atë model “papovke” mund të montohet optikë dhe se pushka është shumë precize, ndaj është përdorur gjerësisht edhe si pushkë snajperi.
“Përveç kësaj, edhe ky dokument, i cili qartazi është hartuar pikërisht në momentin e ardhjes së Aleksandar Vuçiqit në pozicionet për gjueti të snajperit ndaj civilëve, përkatësisht në pozicionet për safari njerëzore, në Varrezat Hebraike në Sarajevë, dëshmon se pikërisht Vuçiqi ishte i ngarkuar si udhërrëfyes dhe shoqërues i mysafirëve të huaj që vinin për safari njerëzore. Krahas gjithë sa u përmend, ky dokument dëshmon edhe një gjë tjetër: lidhjen e Aleksandar Vuçiqit me Sigurimin Shtetëror të Serbisë, i cili në atë kohë drejtohej nga Jovica Stanishiq, i dënuar për krime lufte. Këtë e konfirmojnë edhe informacione të tjera sipas të cilave Vuçiqi, në atë periudhë, gjatë lëvizjes si vullnetar nëpër Bosnjë e Hercegovinë dhe gjatë pjesëmarrjes aktive në rrethimin e Sarajevës, përdorte një letërnjoftim zyrtar të Sigurimit Shtetëror. Kjo, natyrisht, ngre pyetje të mëtejshme se deri në çfarë mase sigurimi ushtarak i Serbisë e ka përdorur Sheshelin, partinë e tij SRS dhe këto njësi si një degë ilegale të DB-së për punë dhe detyra të pista?!”, pyeti Margetiq. /Telegrafi/