Lidhje


Britania e Madhe me ide te reja/ Ajo do të paguajë influencerët shqiptarë të TikTok për fushatën kundër emigracionit me gomone

Qeveria e Britanisë së Madhe duket se mendon në çdo aspekt për të ndaluar emigracionin e paligjshëm. Për të paralajmëruar personat që synojnë të marrin përsipër të kalojnë Kanalin Anglez me anije të vogla, duket se autoritetet britanike janë të gatshëm të paguajnë influencerët shqiptarë në TikTok. Kjo lloj skeme është përdorur më parë në Francë e Belgjikë për disa vite, por Sekretari i Brendshëm, James Cleverly ka vendosur që ta zgjerojë këtë politikë. Aty do të përfshihet Shqipëria, Iraku, Egjipti dhe Vietnami. Në plane është që të përfshihet edhe Turqia e India.

 

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, në listën e kandidatëve që duhet të paralajmërojnë emigrantët që të mos e marrin këtë udhëtim të rrezikshëm janë një reper, dy komedianë, një bloger lifestyle, personalitete televizioni dhe një shkrimtar udhëtimesh.

 

“Ata raportohet se janë zgjedhur prej aftësisë që kanë për të nxitur të rinjtë, të cilët janë grupi më i madh i emigrantëve që kalojnë kanalin”, shkruan LBC.

 

Sipas dokumenteve, influencerët mund të marrin pagesa deri në 5 mijë Paund. Ndërkohë buxheti për influencerët shqiptarë është vendosur në 30 mijë Paund. Ndërsa në Vietnam e Egjipt ky buxhet është 15 mijë Paund.

 

“Trafikantët e qenieve njerëzore përdorin mediat sociale për të shpërndarë gënjeshtra dhe për të promovuar aktivitetet e tyre kriminale. Është jetike që ne të përdorim të njëjtat platforma për të informuar emigrantët për të vërtetat rreth kalimit të kanalit dhe ardhjes ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar”, tha një zëdhënës i Zyrës së Punëve të Brendshme./Nga Lapsi.al

XS
SM
MD
LG