Netanjahu nuk tërhiqet nga sulmi në Rafah
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu vendos të mos dëgjojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë. Në një videomesazh, Netanjahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për të nisur sulmin tokësor në Rafah, të vetmin qytet të madh të Rripit të Gazës të mbetur në duart e Hamasit. “Hamasi duhet të spastrohet nga Rripi i Gazës. Do të luftojmë deri në fitore të plotë dhe kjo përfshin një ndërhyrje të plotë në Rafah, pasi të lejojmë largimin e popullsisë civile nga zona e betejës.“
Uashingtoni i ka kërkuar kryeministrit izraelit të mos ndërmarrë asnjë sulm në Rafah pa një plan që garanton jetën e civilëve.
Qyteti i ndodhur në skajin jugperëndimor të Rripit të Gazës është bastioni i fundit i Hamasit. Aty kanë gjetur strehë mbi 1.5 milionë palestinezë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre në qytete të tjerë të Rripit të Gazës për t’i shpëtuar sulmit të ushtrisë izraelite kundër Hamasit.
Përveçse rrezikon jetët e civilëve, ndërhyrja tokësore e ushtrisë izraelite mund të bllokojë pikën kufitare me Egjiptin që ndodhet në këtë qytet dhe që është jetike për hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës./ Nga Tv Klan