Lidhje


Irani heq kufizimin për raketat, Evropa në rrezik

Për vite të tëra, Irani ka deklaruar se kishte kufizuar rrezen e veprimit të raketave të tij balistike në 2.000 kilometra. Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, kishte thënë më 2021 se kishte vendosur këtë kufizim pavarësisht kundërshtimeve nga figurat ushtarake, duke e paraqitur si zgjedhje të qëllimshme.

 

Ajo zgjedhje, sipas zyrtarëve ushtarakë iranianë, ishte sinjal se Evropa nuk ishte në shënjestër të Iranit. Më 21 mars, dy javë pas vrasjes të Khameneit gjatë luftës të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, Teherani lëshoi dy raketa balistike drejt Diego Garcia, një bazë e përbashkët ushtarake e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Oqeanin Indian që gjendet rreth 4.000 kilometra nga territori iranian.

 

Kufizimi duket se më nuk ekziston.

 

Raketat nuk goditën objektivin e tyre: njëra dështoi gjatë fluturimet dhe tjetrën e rrëzoi një luftanije amerikane. Analistët theksojnë se goditja e bazës Diego Garcia kërkon ulje drastike të ngarkesës shpërthyese të vendosur në raketën më të avancuar me rreze të gjatë të veprimit të Iranit, Khorramshahr-4, dhe ngarkesa të ishte vetëm një pjesë e vogël e peshës së saj normale, duke ngritur pikëpyetje serioze lidhur me saktësinë e goditjes mbi oqean të hapur.

 

Por, në këtë rast, sipas ekspertëve, thelbi i këtij veprimi ishte sinjali.

 

“Rregullat e lojës kanë ndryshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Michael Horowitz, ekspert i pavarur i mbrojtjes me seli në Izrael.

 

“Irani është në luftë për mbijetesë dhe po merr vendime afatshkurtra. Për vite të tëra, Teherani e ka trajtuar kufizimin e tij prej 2.000 kilometrash si mënyrë për të qetësuar rajonin dhe për të ruajtur njëkohësisht parandalimin”, tha ai. “Tani kjo logjikë po i lë vendin diçka më urgjente: demonstrimin se Irani ende mund të shkaktojë kosto dhe se kapaciteti i tij shkon përtej fqinjësisë së tij të afërt”./REL

XS
SM
MD
LG