Lidhje


“Ata duan të na pengojnë të godasim në Rafah, na thonë – humbni luftën”/ Netanyahu kundërshton presionin ndërkombëtar për Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbëngul se nuk do të përkulet para presionit ndërkombëtar dhe do të vazhdojë me ofensivën në Rafah. “Ata që duan të na pengojnë të veprojmë në Rafah, në thelb na thonë – humbni luftën”, tha Netanyahu. Deklarata u lëshua pasi disa diplomatë ndërkombëtarë të nivelit të lartë u takuan në Mynih të shtunën për të diskutuar mundësinë e një armëpushimi në konfliktin e Gazës. Bisedimet për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza “nuk kanë përparuar siç pritej”. “Unë ia kam bërë të qartë kabinetit dhe ia përsëris dhe ia theksoj botës, marrëveshja do të arrihet vetëm me negociata të drejtpërdrejta ndërmjet palëve, pa parakushte”, tha ai.

 

Negtanyahu po kundërshton gjithashtu planin ndërkombëtar për të njohur shtetin palestinez.

 

Presidenti i ShBA-së Joe Biden i kërkoi Izraelit të mos kryejë operacionin pa një plan “të besueshëm” për të mbrojtur civilët dhe në vend të kësaj të fokusohet në një armëpushim. Shtetet e Bashkuara thanë gjithashtu se do të bllokojnë me veto një rezolutë tjetër të OKB-së për armëpushim e cila do të diskutohet të martën në Këshillin e Sigurimit.

 

Rreth 1.4 milionë palestinezë, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, janë grumbulluar në Rafah, shumica e tyre janë zhvendosur nga diku tjetër në territor.

 

Banorët e Gazës zhvendosur në kampet e tendave në Rafah janë të shqetësuar në lidhje me sulmin tokësor të afërt izraelit aty. Banorët që tashmë po luftojnë për të gjetur ushqim, ujë, strehimin dhe mbijetojnë në të ftohtin e dimrit, pyesnin veten se çdo të bëhet me ta.

 

Më shumë se 40 persona u raportuan se u vranë pas një sërë sulmesh ajrore në lagjen Deir Al-Balah në Rripin qendror të Gazës. Burimet palestineze thonë se bomba ranë në afërsi të një spitali. Një sulm ajror në Rafah gjatë natës vrau 6 persona, duke përfshirë një grua dhe tre fëmijë, dhe një sulm tjetër vrau 5 burra në Khan Younis, objektivi kryesor i ofensivës gjatë dy muajve të fundit.

 

Në qytetin e Gazës, një sulm ajror rrafshoi një banesë, duke vrarë 7 vetë, përfshirë 3 gra./Nga Klan News

XS
SM
MD
LG