Koreja e Jugut, shëndetësia në krizë pasi mijëra mjekë japin dorëheqje
Duke shkaktuar një krizë në kujdesin ndaj pacientëve, mijëra mjekë praktikantë të martën dhanë dorëheqjen nga detyra në Korenë e Jugut në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për të rritur numrin e vendeve të studentëve të mjekësisë, transmeton Anadolu.Megjithatë, presidenti Yoon Suk Yeol u bëri thirrje mjekëve protestues që "të mos mbajnë peng jetën dhe shëndetin e njerëzve".
Rreth 6.415 mjekë praktikantë në 100 spitale kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre ndërsa rreth 1.600 prej tyre kanë pezulluar punën, raportoi Yonhap News me bazë në Seul.
Koreja e Jugut ka rreth 13.000 mjekë praktikantë, ndërsa qeveria urdhëroi 831 mjekë praktikantë të kthehen në punë.
"Mjekët praktikantë që janë faktor kyç në fushën e mjekësisë dhe studentët e shkollave të mjekësisë që janë faktor kyç për ardhmërinë e mjekësisë nuk duhet të ndërmarrin veprime kolektive duke marrë peng jetën dhe shëndetin e njerëzve", tha presidenti.
Yoon tha se disa "operacione për pacientët me kancer tashmë janë shtyrë" për shkak të grevës.
Zëvendësministri korean i Shëndetësisë Park Min-soo Park tha se dorëheqjet e mjekëve "çuan në një ndërprerje në shërbimet mjekësore, siç është anulimi i operacioneve".
Mjekët protestues pretendojnë se qeverisë "i mungon transparenca" dhe se vendimi për rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë do të "kompromentojë" cilësinë e arsimit dhe shërbimeve mjekësore.
Qeveria, megjithatë, tha se rritja me 2.000 vende është "e nevojshme" për të trajtuar mungesën e mjekëve, veçanërisht në zonat rurale dhe specialitetet thelbësore.
Aktualisht, kuota vjetore e Koresë së Jugut për regjistrimet e mjekësisë është 3.058 vende.
Të premten e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e vendit ndaloi dorëheqjet në shkallë të gjerë dhe nxori masa kundër dorëheqjeve kolektive të mjekëve.
Gjithashtu, për të menaxhuar turmën e pacientëve për shkak të pasojave nga dorëheqjet, spitalet e drejtuara nga qeveria në Seul vendosën të zgjasin orët normale të funksionimit.
Sistemi i kujdesit shëndetësor të Koresë së Jugut mbështetet shumë te mjekët praktikantë, veçanërisht në rastet e kujdesit urgjent dhe akut./ Anadolu